Ministri Kuçi takohet me delegacionin amerikan, diskutojnë për Ujmanin

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka marrë pjesë në një takim me delegacionin e Qeverisë së SHBA-ve, të udhëhequr ndihmësi i parë i zëvendës sekretarit të Departamentin të Energjisë, Matthew Zais, përfaqësues tjerë nga Departamenti i Energjisë, Shtëpia e Bardhë dhe agjencione tjera në administratën amerikane, njofton Insajderi.

Qëllimi i këtij takimi ishte implementimi i pikave të marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, të cilat lidhen me diversifikimin e burimeve të sektorit të energjisë, si dhe studimin e fizibilitetit për liqenin e Ujmanit.

Ministri Kuçi në ekspozenë e tij rreth strategjisë së ardhshme të energjisë dhe diversifikimit të burimeve, tha se kjo strategji do të mbështetet në pesë shtylla: burimet e energjisë së ripërtërirë, burimet e linjitit, burimet e gazit, aplikimi i masave efiçiente të energjisë dhe integrimi në tregun rajonal.

Mbi këtë bazë, ministri Kuçi u zotua për projektet konkrete që do të trasojnë rrugën për jetësimin e këtyre objektivave.

Në aspektin e studimit të fizibilitetit për liqenin e Ujmanit, si një nga pikat e veçanta, ministri Blerim Kuçi paraqiti një historik të shkurtër të ndërmarrjes publike “Iber-Lepenci”, e cila që nga viti 1967 operon dhe menaxhon me asetet ekzistuese, përfshirë edhe liqenin.

Kuçi tha se mirëpret angazhimin e Departamentit të Energjisë së SHBA-ve, për një studim fizibilitetit serioz, i cili do të rezultonte me investime shumë të nevojshme për këtë resurs strategjik të Kosovës.

Me qëllim të implementimit të suksesshëm, Qeveria e Kosovës do të procedojë planin aksional që do të koordinojë punën me grupe teknike vendore për marrëveshjen e Uashingtonit.

Nga ana e tij, ndihmësi i parë i zëvendës sekretarit të Departamentin të Energjisë, Matthew Zais përsëriti edhe njëherë zotimin e SHBA-ve në mbështetje të Kosovës, në funksion të diversifikimit të burimeve të energjisë, rritjes së sigurisë së furnizimit dhe tranzicionit gradual drejt burimeve të qëndrueshme të energjisë


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu