Ndërron jetë gjatë seancës gjyqësore presidenti i parë demokratik i Egjiptit, Mohamed Morsi

Presidenti i parë i Egjiptit i zgjedhur në rrugë demokratike, Mohamed Morsi, ka ndërruar jetë gjatë një seance gjyqësore, raporton Anadolu Agency (AA).

67-vjeçari Morsi humbi vetëdijen dhe ndërroi jetë në seancën gjyqësore ku ai u përball me një mori akuzash që kur u rrëzua dhe u burgos në grusht shtetin ushtarak në vitin 2013.

Ish-presidenti Morsi u largua nga detyra përmes një puçi ushtarak në vitin 2013, nga ministri i atërhershëm i Mbrojtjes dhe më pas president i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi.

Morsi mbahej në izolim pavarësisht nga fakti se ai ka shprehur shqetësime në lidhje me shëndetin e tij. Ai nuk mund të merrte pjesë në shumicën e seancave në gjyqin e tij të nisur pak pasi u rrëzua nga grusht shteti i përgjakshëm në vitin 2013.

“Gjendja ime shëndetësore është bërë serioze dhe po përkeqësohet nga dita në ditë”, pati thënë Morsi më parë, i cili theksoi se nuk do të hiqte dorë nga kërkimi i trajtimit mjekësor, duke deklaruar se kishte rënë dy herë në komë diabetike sepse nuk mund të hante ushqimin e burgut.

Duke iu përgjigjur kërkesave të ish-presidentit, gjyqtari theksoi se kërkesa për ekzaminim mjekësor duhej të nënshkruhej nga mjekët e burgut, një vendim që u refuzua, ndërkohë që autoritet egjiptiane thonin se Morsi po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në burg.

Morsi u dënua me 48 vjet burgim gjithsej në katër nga gjykimet e hapura kundër tij, ndërkohë që vazhdonte procesi i gjykimit në dy raste të tjera për Morsin.

Morsi, i cili shërbeu si president i Egjiptit nga qershori i vitit 2012 deri në korrik të vitit 2013, lindi më 20 gusht të vitit 1951 në Al Idwah të Egjiptit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu