Ndryshimet kushtetuese në Maqedoni, i gabuar përkthimi në shqip i nënshtetësisë

Forma e drejtë në shqip duhet të jetë nënshtetësia “E Maqedonisë” dhe jo sikur përdoret me vite të tëra dhe siç kërkohet të shkruhet sërish “Maqedonisë”. Kështu vlerësojnë ekspertët në lidhje me atë se a janë respektuar normat e gjuhës shqipe gjatë për përkthimit të emërtimit të nënshtetësisë nga maqedonishtja në shqip, me ndryshimet kushtetuese të parapara sipas Marrëveshjes së Prespës, shkruan Portalb.mk.

Nënshtetësia për banorët e Maqedonisë, në dokumentet zyrtare është “Makedonosko” dhe e përkthyer në shqip “Maqedonisë”. Kjo formë e gabuar mëtohet të përsëritet edhe me me ndryshimet kushtetuese me të cilat përveç emrit të shtetit do të ndërrohet edhe emërtimi i nënshtetësisë. Amandamenti është:

– Македонско/граѓанин на Република Северна Македонија
(Makedonsko/gragjanin na Republika Severna Makedonija)
– Maqedonisë/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut
– Macedonian/citizen of the Republic of North Macedonia

Ky emërtim ka shkaktuar reagim te ekspertët duke e pasur parasysh që gjatë përkthimit nga maqedonishtja në shqip nuk janë respektuar rregullat e gjuhës shqipe dhe sipas tyre “Makedonsko” është dashur të përkthehet në “E Maqedonisë” dhe jo sikur ka qenë deri më tani dhe tani vetëm e kanë trashëguar “Maqedonisë”.

“Formulimi i emërtimit të ri i nënshtetësisë (Maqedonisë/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut), gjuhësisht nuk është i saktë, sepse mungon nyja “e” e rasës gjinore. Sepse në gjuhën shqipe pronësia ose përkatësia shprehet me rasën gjinore. Kurse në këtë formulim përdoret rasa dhanore, e cila shpreh kundrinën e zhdrejtë. Me siguri për shkaqe teknike që të përkojë me një fjalë të vetme siç është në maqedonishte “makedonsko” është bërë ky lëshim, por nuk duhet harruar se maqedonishtja nuk ka rasa dhe në rastin konkret përdor mbiemër + emër, kurse sipas natyrës së shqipes kjo shprehet me emër në emërore + emër në gjinore. Kështu që mënjanimi i nyjës “e” e cungon kuptimin edhe morfologjik, edhe semantik. Secili që njeh shqipen, sapo të lexojë këtë formulim e dallon se diçka nuk është në rregull. Pra, formulimi “Македонско државјанство”, Në shqip duhet të jetë “Nënshtetësia e Maqedonisë”, thotë për Portalb.mk profesoresha universitare, Ajten Hajdari-Qamili.

Edhe profesori universitar Vebi Bexheti vlerëson se përkthimi është bërë i gabuar dhe se mënyra më e mirë do të ishte në rasën gjinore, gjegjësisht në vend nënshtetësia “Maqedonisë”, nënshtetësia “E Maqedonisë”.

“Nyja e përparme E, tregon rasën gjinore (Maqedonia- rasa emërore), (E Maqedonisë- rasa gjinore). Nyja e përparme E, në këtë rast, nuk e dëmton asnjërën palë, përkundrazi e respekton normën drejtshkrimore të shqipes, që duhet ta respektojnë të gjithë shqiptarët, kudo qofshin ata, përfshirë edhe deputetët shqiptarë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Ky variant të cilin assesi nuk e pranoi propozuesi, pra Qeveria, do ishte zgjidhja më e mirë, e që do i bënte plotësisht të barabartë të gjithë qytetarët. Zaevi dhe Qeveria e Maqedonisë (për çudi edhe pjesa shqiptare e shumicës) pikërisht te fjala “Makedonsko” e kërkonte amnistinë nga kundërshtarët e Marrëveshjes së Prespës, se e ruajtën qenien kombëtare të shtetit dhe kombit të tyre edhe pas ndërrimit të emrit”, shton Bexheti./Portalb


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu