Negociatat për PSP-në, LSDM fton opozitën shqiptare (VIDEO)

Pas ngecjes së negociatave me VMRO-DPMNE-në për propozim/ligjin për Prokurorinë Publike, Ministria e Drejtësisë kthehet nga opozita shqiptare dhe tetë deputetët e ndarë nga VMRO-DPMNE-ja. Deputetët janë ftuar në negociata me qëllim që të sigurohen 2/3 e votave. Nga Lëvizja Besa thonë se në negociata do të propozojnë që Specialja të vazhdojë të funksionojë siç është aktualisht, t’i vazhdohet mandati për aktpadi dhe përgjimet të mund të shfrytëzohen si dëshmi në gjykatë. Megjithatë ata do të kërkojnë garancë për drejtësi jo-selektive nga PSP-ja dhe veprimtari në bazë të parimeve mbi të cilat u formua fillimisht.

Pse të mos ulemi, të krijojmë 2/3, 80 vota, dhe t’i japim kapacitete të plota kësaj Prokurorie Speciale dhe ta vazhdojë punën e saj por kuptohet duke i shfrytëzuar edhe përgjimet në procedurat e saj? Ta përforcojmë këtë institucion si Prokurori Speciale dhe të krijojmë garancë ose besim se institucioni, të paktën në vazhdimësinë e punës së vet do ta relizojë misionin e saj”- theksoi Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.

Alsat kërkoi qëndrim edhe nga Aleanca për Shqiptarët dhe tetë deputetët e pavarur, të ndarë nga VMRO-DPMNE-ja. Aktualisht nuk dihet qëndrimi i tyre mbi negociatat dhe mbështetjen e mundshme. Nga pushteti thonë se nuk do të dorëzohen dhe edhe më tej do të përpiqen për një marrëveshje edhe me VMRO-DPMNE-në.

Negociatat vazhdojnë. Presim dhe apelojmë më shumë herë që partitë të vendosen mbi interesat e ngushta partiake në funksion të vendosjes së shtetit ligjor. Pres që ligji të vijë edhe në procedurë parlamentare ku çdo deputet vendos sipas bindjes së tij personale. –theksoi Kostadin Kostadinovski, deputet i LSDM-së

Opozitës nuk i është dhënë afat konkret për të dorëzuar në formë amendamentesh vërejtjet për propozim/ligjin për PSP-në por vonesat eventuale, sipas zv.kryeministrit Bujar Osmani, mund të ndikojnë në raportin e progresit për Maqedoninë që duhet të publikohet në maj.

Ne duam që ta kapitalizojmë këtë ligj para qershorit që të mundemi në bazë të tij të kemi pikë shtesë dhe vlerësime shtesë për një notë pozitive në qershor andaj edhe është kërkesa deri tek të gjithë partitë politike që të shohim interesin shtetëror. – u shpreh Bujar Osmani, zv.kryeministër për çështje evropiane

Pozita në propozim/ligj parashikon kryeprokurori special të mos ndryshohet. PSP-ja të jetë njesi e veçantë në prokurorinë e rregullt për të ndjekur krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë si dhe materialet e përgjuara për lëndët e proceduara ose në fazë parahetimore të shfrytëzohen si dëshmi deri në shtator të viti 2020.

Video:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu