Nga perlat e urtësisë islame, thënia që Rama dhe të tjerët duhet ta mësonin

Komunikimin publik të situatën delikate të pas-tërmetit, kryeministri Rama e pasuroi me thënie moralizuese, ku dominuan e veçuan ato nga urtësia islame. Por po nga kjo urtësi, buron dhe një thënie e cila bukurmirë mund të qe tejet ngacmuese për vetëdijen e qeverisjes së tij, nëse do ballafaqohej me të. E jo vetëm të tijën sigurisht, por për çdo kryeqeveritar, i cili do dëshironte një formulë që të mund t’i jepte sukses.

Ajo është një thënie e cila i atribuohet një prej dijetarëve më gjigandë të Islamit – Ibn Tejmijes -porse nuk është e tija. Eshtë një thënie e buruar nga urtësia popullore, por e potencuar nga dijetari në fjalë, si një standart, si një formulë morale për çdo qeverisje.

Transmetohet në shumë forma, por tekstualisht është:

“Njëmend, Allahu e mban në këmbë shtetin e drejtë edhe nëse është jobesimtar; dhe nuk e mban në këmbë shtetin zullumqar edhe nëse është musliman.”

Kuptimi i gjerë i kësaj, sipas komentit që i kanë bërë njerëzit e dijes, është se Zoti i jep sukses një qeverisjeje nëse ajo mban e përcjellë drejtësi, edhe nëse ajo është e përbërë nga njerëz jobesimtarë; dhe e kundërta, nuk i jep sukses, edhe nëse është e përbërë nga besimtarë, mjaft që të mos mbajë drejtësi.

Dhe, nëse Rama do ballafaqohej me këtë thënie monumentale, do e kuptonte se Reforma në Drejtësi e iniciuar prej tij, jo domosdoshmërisht e bën të drejtë. Sepse, siç shihet, qeverisja e tij vuan nga suksesi i dukshëm, vuan nga ajo që njerëzit besonin kur ia dhanë votën, me të drejtë apo me të padrejtë kjo, e që sado gjëra të mira të jenë bërë në 6 vitet, një zhgënjim e pakënaqësi popullore endet qartazi mbi të.

E kjo padyshim që buron nga padrejtësitë, të llojeve e niveleve të ndryshme. Padrejtësia e parë e më evidente që një pushtetar mund t’i bëjë popullit të tij, është përzgjedhja e njerëzve që iu beson përgjegjësi. Nëse dikujt i është dhënë një post a detyrë duke mos qenë i duhuri në atë punë, por që motivimi ka qenë krejt diç tjetër, e ndërkohë që dikush tjetër e bën më mirë atë punë, që këtu nis padrejtësia e një qeverisjeje.

E jo thjesht për koiçidencë, zhgënjimi i parë i njerëzve ndaj Ramës në startin e qeverisjes, ishte lloji i njerëzve që u besoheshin poste drejtimi. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu