Ngjarjet në burgje, reagon PD: Siguria ka degraduar

Për ngjarjet e një dite më parë të ndodhura në dy prej Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në Vaqarr dhe në Shënkoll të Lezhës, ka reaguar këtë të dielë Partia Demokratike.

Në deklaratën e shpërndarë për mediet, PD bën të ditur se plagosja me armë nga jashtë e një të dënuari në burgun e Vaqarrit dhe shpërthimi i zjarrit që mori jetën e një tjetër të dënuari në burgun e Shënkollit, tregojnë degradimin total të standardeve të sigurisë në vend.

“Brenda ditës, në dy burgje – që edhe emërtesën e kanë institucione të sigurisë, – kanë ndodhur ngjarje tronditëse që dëshmojnë se siguria në vend përkeqësohet çdo ditë pa kthim, nën qeverisjen e Edi Ramës, që edhe burgjet, si çdo sektor tjetër i sheh si një mundësi pasurimi e punësimi militantësh, e si një hambar të madh tenderash”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Sipas Partisë Demokratike, mungesa e sigurisë në institucionet e sigurisë së lartë bën që pasiguria të pllakosë vendin dhe qytetarët të mos e gëzojnë të drejtën dhe mbrojtjen minimale.

“Vetëm një muaj më parë u pushtua me maska e me armë aeroporti i vetëm ndërkombëtar në vend, e për atë ngjarje, sikurse edhe zhvillimet e djeshme në burgje, ende nuk ka asnjë përgjegjës. Rrugët përgjaken çdo ditë nga aksidentet, krimet kundër jetës janë shtuar, ndërsa Edi Rama bën propagandë me tollonin e naftës”, vijon më tej deklarata e PD-së.

Partia Demokratike garanton në fund qytetarët se, do të shtypë pa mëshirë krimin e do të sjellë për shqiptarët rend e siguri sapo të vijë në pushtet, ndryshe nga kryeministri në ikje që ia ka lënë vendin bandave e trafikantëve të tij, me pushtetin që ndan çdo ditë me krimin./Top Channel


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu