Një institut izraelit zbulon kurën për kancerin në pankreas

Një hulumtuese e qendrës mjekësore “Chaim Sheba” e ka zbuluar një ilaç të mundshëm për kancerin e pankreasit. “Në historinë e onkologjisë janë bërë vetëm dy ose tri studime që kanë treguar disa përfitime për kancerin e pankreasit”, tha Dr.Raanan Berger, drejtor i Onkologjisë në qendrën mjekësore “Sheba”, i cili është spitali më i madh në Izrael. “Ky është një zbulim shumë i rrallë”, shtoi ai.

Kanceri i pankreasit është kanceri i dymbëdhjetë më i shpeshtë në botë. Vetëm gjatë vitit 2018, në botë janë shënuar rreth 460 mijë raste me këtë kancer. Sidoqoftë, ky kancer e zë vendin e katërt për numrin e vdekjeve. Më pak se 3 për qind e pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje jetojnë më gjatë se pesë vjet pas diagnostikimit.

Ky hulumtim është kryer nga Dr.Talia Golan, drejtoreshë e Qendrës për Kancer të Pankreasit në këtë spital. Studimi i saj ka qenë i përqendruar në vlerësimin e sigurisë dhe testimit të efikasitetit të ilaçit të ri, i njohur si “Polo”, i cili pritet të përdoret për trajtimin e një lloji specifik të kancerit të pankreasit me mutacionet BRCA 1 dhe BRCA 2.

“Terapia Polo përmes përdorimit të ilaçit Lynparza ofron shpresë për personat që vuajnë nga kanceri i pankreasit dhe që e kanë mutacionin BRCA”, tha Dr.Golan.

Ky hulumtim është fazë tjetër e një studimi që është bërë më herët nga Sheba në vitin 2015, përmes së cilit u dëshmua se ilaçi i njohur ndryshe me emrin olaparib, jep përfitime për pacientët me lloje të ndryshme të kancerit me mutacionet BRCA 1 dhe BRCA 2.

BRCA 1 dhe BRCA 2 janë gjene njerëzore që prodhojnë proteina që janë përgjegjëse për riparimin e ADN-së së dëmtuar dhe luajnë rol të rëndësishme në ruajtjen e stabilitetit gjenetik të qelizave. Kur ndonjëra nga këto gjene pëson mutacion, në mënyrë që produkti i proteinës nuk prodhohet ose nuk funksionon si duhet, dëmtimi i ADN-së nuk mund të rregullohet dhe qelizat bëhen të paqëndrueshme. Si rezultat i kësaj, qelizat kanë më shumë gjasa të zhvillojnë ndryshime tjera gjenetike që mund ta sjellin kancerin.

Rezultatet e këtij hulumtimi treguan se pacientët që iu nënshtruan këtij trajtimi në vendet e ndryshme të botës patën shumë më shumë sukses sesa ata që nuk e përdorën këtë ilaç sa i përket reagimit të organizmit, kohës së përmirësimit dhe cilësisë së jetës, shkruan “JP”, transmeton Gazeta Express.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu