Të gjithë personat e interesuar të papunë, kërkues aktiv të punës prej sot mund të paraqiten në shpalljen për grant të pakthyeshëm në vlerë prej 3.000 euro për vetëpunësim përmes hapjes së biznesit personal.
Me mjetet e marra nga ana e shtetit personat e papunë do të mund të hapin biznes sipas dëshirës personale dhe sipas motivimit personal dhe ta punësojnë veten e tyre, ndërsa përderisa plani i tyre i biznesit atë e parashikon të punësojnë edhe persona plotësues në biznesin e krijuar.
Për këtë shpallje është parashikuar ndarja e 100 granteve për vetëpunësim si faza e tretë e këtij projekti për këtë vit.
“Për realizimin e këtyre 100 punësimeve të reja, janë siguruar mjete në vlerë prej 20 milionë denarë, derisa për tërë vitin janë parashikuar gjithsej 1.010 grante përmes së cilave hapen aq vende të reja të punës. Për të gjitha grantet këtë vit janë parashikuar gjithsej 225 milionë denarë”, theksoi në konferencën e sotme për shtyp zëvendësministri plotësues Dime Spasov.
Informon se këtë vit deri tani janë formuar gjithsej 422 kompani, ndërsa ashtu siç tha, deri në fund të muajit pritet të fillojë procesi i regjistrimit edhe të 390 kompanive të vogla përmes projektit grant për vetëpunësim.
Drejtori i Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë Vllatko Popovski theksoi se nga viti 2007, prej kur zbatohet projekti, deri tani janë formuar mbi 8.100 kompani, dhe se mbi 70 për qind ende punojnë. Në 35 prej tyre, tha ai, ka mbi 250 punësime plotësuese.
Gjatë muajit në vijim, shtoi pritet të mblidhen të gjitha aplikimet dhe të fillohet me edukim për biznes. Pas trajnimit, 100 më të mirët të cilët do t’i marrin grantet do të kenë mundësi nga Agjencia për Sipërmarrësi të marrin mentor ekspert i cili do t’u ndihmojë në detajet dhe përpunimin e planit të biznesit.
Viteve të fundit janë hapur biznese të vogla në fusha të ndryshme si shërbime, prodhimtari, kopshte, kënde të lodrave, furra, punëtori, veprimtari shërbyese nga fusha e softuerit dhe materialeve softuerike. Me këtë program nuk financohen veprimtaritë nga bujqësia dhe transporti me taksi./infoshqip.com