Njihuni me jetën e familjes shqiptare në fshatin e banuar me serbë (VIDEO)

Nexhat Rexhepi me familjen e tij janë të vetmit shqiptarë që jetojnë në fshatin Tërniqevc të Novobërdës, fshat i banuar me serbë.

Rexhepi pretendon se po diskriminohet nga Komuna e Novobërdës, e cila nuk po i ofron kushte infrastrukturore për jetesë.

“Jemi këtu nga viti 2012. Jetoj me gruan dhe djalin. Jeta në fshat nuk është e keqe në raport me banorët e komunitetit serb”, thotë për RTV Dukagjinin, Nexhat Rexhepi.

Për të kjo gjë nuk paraqet problem, por ankohet për udhëheqësit komunalë, të cilët, sipas tij, po e diskriminojnë, duke mos ia ofruar kushte infrastrukturore për jetesë.

“Nuk kam kanalizim, as ndriçim publik dhe e kam të vështirë me rrugën në kohën kur ka të reshura atmosferike. Kur pastrohet rruga kryesore, rruga ime mbyllet për qarkullim”, ankohet Rexhepi, përcjell Telegrafi.

Në të njëjtin fshat jeton edhe kryetari i Novoberdës, Svetisllav Ivanoviq.

Ai mohon të jetë diçka e qëllimshme sa i përket investimeve, por se ato, sipas Kryetart, janë problem në gjithë territorin e Komunës.

“Nexhat Rexhepi ka ardhur në Fshat në vitin 2012, ndërsa infrastruktura e fshatit ishte ndërtuar në vitin 2006. Sa i përket kërkesës që ai i ka drejtuar Komunës, unë jam takuar me të dhe i kam treguar për mundësit e kufizuara që i ka Komuna për investime”, deklaron për RTV Dukagjinin Svetisllav Ivanoviq.

Ivanoviq premtoi se rruga me zhavor do të shtrohet brenda pak ditëve, ndërsa sa i përket asfaltit dhe kanalizimit, thotë se kjo do të bëhet në mundësinë e parë që do ta ketë Komuna. /RTV Dukagjini/Telegrafi/

Video:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu