Osmani për klubet bullgare “do të flas me nismëtarët, të shohim cili është qëllimi”

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani në një intervistë për gazetën bullgare “V-box7” sërish dënoi sulmin me armë zjarri ndaj klubit kulturor “Car Borisi i Tretë” në Ohër.

Ai theksoi se nga Maqedonia e Veriut të gjithë e dënuan këtë akt vandalizmi, duke filluar nga Ministria e Punëve të Jashtme, pastaj Qeveria, Presidenti i Shtetit, ndërsa shtoi se MPB ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për gjetjen e autorëve.

Osmani në të njëjtën intervistë theksoi se ka individë apo grupe nga të dyja palët, në Maqedoni dhe Bullgari, të cilët nuk duan që këto dy vende të kenë marrëdhënie të mira. Osmani po ashtu tha se po planifikon një dialog me iniciatorët e klubeve bullgare në Maqedoni, për të parë se cili është saktësisht qëllimi i hapjes së tyre.

“Nëse synimi real është që komuniteti bullgar të ketë organizatat e veta, klubet në të cilat do të organizohet dhe përfaqësohet. Nëse ideja është që komuniteti bullgar të etablohet më mirë, po punojmë për amendamentet kushtetuese, me qëllim që komuniteti bullgar të futet në preambulë. Nëse ideja është integrimi i komunitetit bullgar në sistem, për të parandaluar politikat e mundshme diskriminuese ndaj komunitetit bullgar, le të shohim se cilat janë mënyrat më të mira për ta bërë këtë. Nuk mendoj se kjo do të arrihej duke e zemëruar publikun. Unë vetë vij nga një komunitet që dikur ishte i nënshtruar. Megjithatë, nga përvoja ime, mund të them se mënyra që është zgjedhur, nga ata njerëz, nga komuniteti bullgar, është rruga e gabuar. Këtë e them në mënyrën më qëllimmirë”,
tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu