Me rastin e shënimit të përvjetorit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, zhvilloi takim pune tematik me shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut të akredituar në vendet anëtare të BE-së dhe Përfaqësitë e Përhershme të BE-së dhe NATO-s.
“Vetëm tri ditë më parë, u ktheva nga Këshilli dyditor i Aleancës së Atlantikut të Veriut në Bruksel, ku për herë të parë u ulëm fizikisht në tryezë, krah për krah me vendet më të forta në botë. Më lejoni t’ju përcjell sot, në këtë jubile, se ne përfaqësojmë vendin në NATO me dinjitet dhe në nivelin e detyrës, me kapacitet të plotë teknik dhe personel në misionin tonë, siç i ka hije një vendi anëtar të Aleancës”, tha Osmani në deklaratën e tij me rastin e përvjetorit të parë të anëtarësimit të vendit në NATO.
Siç tha Osmani, ky jubile është një nga arsyet pse sot thirri shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Maqedonisë së Veriut, të akredituar në vendet anëtare të BE-së.
“Sot, me ambasadorët tanë, ne jo vetëm që do të shënojmë përvjetorin, por gjithashtu do të analizojmë thelbësisht se çka kemi bërë deri më tani; do të bëjmë një rikapitullim, ose një lloj shqyrtimi të anëtarësimit tonë në NATO, dhe natyrisht, ne do të përcaktojmë udhëzimet për veprimin tonë të ardhshëm diplomatik si anëtar i plotë i Aleancës“, tha Osmani.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut gjithashtu iu referua perspektivave evropiane të vendit.
“Sigurisht se në agjendën e takimit tonë tematik do të jetë dosja evropiane e vendit. Unë pres të marr informacion të saktë mbi situatën politike dhe pikëpamjet e vendeve anëtare të BE-së në të cilat ambasadorët janë të akredituar. Rrethanat janë të tilla që në dy muajt e ardhshëm hapet një dritare mundësi që na çon në samitet e BE-së në qershor. Janë më pak se tre muaj, një periudhë në të cilën ne presim të intensifikojmë aktivitetin diplomatik nga administrata evropiane, por edhe nga vendet anëtare të Unionit, në mënyrë që të përfundojmë dosjen tonë evropiane dhe të fillojmë negociatat“, tha Osmani.
Pasdite, në takimin tematik të punës, do të mbahen seanca speciale me Presidentin e Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, kryeministrin Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministrin përgjegjës për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov.









