Pas dhunës ndaj protestuesit në Zvërnec, 2 kompanive të sigurisë u hiqet licenca

Pak ditë pas incidentit të regjistruar në Zvërnec, iu është hequr licenca dy kompanive private të sigurisë, punonjësit e të cilave u filmuan duke dhunuar protestuesit që po kundërshtonin paqësisht kundër punimeve në zonë.

Lajmi është konfirmuar mëngjesin e kësaj të hëne nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila shkruan: “Iu hiqet licenca 2 subjekteve ShPSF ‘Myrto Security 1.3A’ dhe ShPSF ‘Major Security’. Vijojnë intensivisht hetimet administrative nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti për Sigurinë Publike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për hetimin e plotë me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive në lidhje me veprimet dhe mosveprimet përgjatë tubimit të zhvilluar më datë 30.05.2026, në Portonovë, Zvërnec, si dhe për ligjshmërinë e subjekteve private për sigurinë fizike që janë kontraktuar nga pronari, për ruajtjen dhe sigurinë fizike të pronës në Portonovë, Zvërnec.”

Më tej Policia sqaron se sipas hetimeve të deritanishme, për vlerësimin e zbatimit të përgjegjësive ligjore nga subjektet private, rezultoi se të dyja subjektet janë konstatuar në shkelje.

Në përfundim të hetimeve administrative, për shkeljet e konstatuara, të dy subjekteve iu hoq licenca për ushtrimin e këtij aktiviteti. Hetimet penale dhe administrative vijojnë.

Lidhur me përplasjet në Zvërnec, ditën e djeshme foli edhe kryeministri Edi Rama. Duke falenderuar Policinë për reagimin e shpejtë, ai njoftoi se paraditen e kësaj të hëne do të fliste për një projekt të jashtëzakonshëm, për të cilin nënvizoi se janë aluduar shumë të pavërteta.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu