PDK dhe AAK mblidhen në sallën e Kuvendit: Mandatin na e ka dhënë populli, s’mund të na e marrë Kurti

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës po qëndrojnë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e saj. Ndërkaq nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka deputetë të pranishëm.

PDK-ja, përmes një letre drejtuar Deharit, ka kërkuar që seanca të thirret pa vonesa dhe deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit.

Sipas PDK-së, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese, por tejkalimi i këtij afati, sipas saj, nuk e shuan detyrimin për përfundimin e procesit të konstituimit.

“Neve mandatin na e ka dhënë populli, nuk na e ka dhënë Albin Kurti dhe nuk mund të na i marrë. Me qëllim që ta mbrojmë kushtetushmërinë, me qëllimin që ta funksionalizojmë Kuvendin, përkundër kërkesës sonë nuk është thirrur vazhdimi i seancës andaj ne kemi vepruar drejtë dhe kemi ardhur këtu ku e kemi mandatin në mënyrë që ta përcjellim si qëndrimin tonë. Ne do të vazhdojmë me qëndrime dhe aktivitete tona politike. Nëse shteren mundësitë brenda Kuvendit, do të jenë hapat tonë tjerë të guximshëm për ta mbrojtur shtetin”, ka thënë deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, nga foltorja e Kuvendit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu