Pedri zbulon bisedën që Busquets ia bëri atij dhe Gavit për t’i qetësuar para debutimit në Botëror

Pedri është padyshim njëri nga futbollistët e rinj më të mirë që ka parë bota e futbollit viteve të fundit. Mesfushori i talentuar ka debutuar në Kupën e Botës me Spanjën dhe ka dhuruar një paraqitje fantastike në fitoren e përfaqësueses së tij 7-0 ndaj Kosta Rikës.

Megjithatë talenti i madh spanjoll është një futbollist shumë modest, duke thënë se nuk ndihet yll te Spanja ose te Barcelona, përkundër që është lojtari me vlerën më të madhe si në Kombëtaren e tij ashtu edhe në klub.

“Nuk ndihem si yll këtu apo te Barça. Te Barça ka shumë lojtarë me shumë më tepër peshë se unë dhe në kombëtare janë të gjitha bashkë, kjo është ajo që e bën ekipin të mirë”, ka thënë Pedri.

Tutje Pedri ka treguar edhe fjalët që kapiteni Sergio Busquets i tha atij dhe Gavit për t’i qetësuar para debutimit në Kupën e Botës.

“Mendova se do të isha më nervoz. Busquets më tha mua dhe Gavit të jemi të qetë. Na ka bërë një mini fjalim një ditë para se të debutojmë në Kupën e Botës, që të jemi të qetë”.

“Ai na tha që mos t’i kushtojmë vëmendje çdo gjëje që është folur apo vendosur para ndeshjes dhe ato fjalë të kapitenit na dhanë siguri. Ishim të qetë dhe u pamë brenda fushës që po kënaqeshim”, deklaroi Pedri.

Spanja ndodhet në Grupin E së bashku me Gjermaninë, Kosta Rikën dhe Japoninë.

Pasi kanë marrë tre pikët e para, ‘La Roja’ ndeshjen e radhës e zhvillojnë të dielën me fillim nga ora 20:00 ndaj Gjermanisë. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu