Pendarovski në Bruksel, Zaevi në Berlin, “misioni i pamundur”

Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski dje përmes një linje çarter nga Shkupi ka udhëtuar në Bruksel, ku sot pritet të fillojë agjendën e takimeve me zyrtarët e lartë të BE-së, informon INA.

Pendarovski gjatë kësaj vizite të pare si president do të zhvillojë takime të ndara me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federika Mogherini, kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk si dhe zyrtarë të tjerë të lartë evropian.

Në këto takime siç thuhet, Pendarovski pret që të konfirmohet se Maqedonia e Veriut do të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Ai në një intervistë për Deutsche Welle para nisjes për Bruksel ka thënë se Maqedonia e Veriut ka përmbushur detyrimet e saj, tani është radha e Brukselit.

Në mision lobimi ka udhëtuar drejt Berlinit, kryeministri Zoran Zaev, i cili do të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel. Zaev ka theksuar se pret përgjigje pozitive nga kancelarja gjermane lidhur me marrjen e dates për fillimin e bisedimeve. Në fund të këtij muaji në Bruksel do të zhvillohet Samiti i Këshillit Evropian ku do të vendoset edhe mbi këtë çështje dhe që është pika e dytë e rendit të ditës të punës së ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së. Kryeministri Zaev ka paralajmëruar se nëse nuk do të ketë lajme të mira dhe datë gjatë kësaj vere, ai do të shpallë zgjedhje të parakohshme. (INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu