I përdornin në plazhe për foto, sekuestrohen dy arinj në Sarandë, arrestohet pronari

Në zbatim të kuadrit ligjor për biodiversitetin dhe mbrojtjen e faunës së egër Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka sekuestruar ditën e djeshme dy arinj që mbaheshin në robëri në qytetin e Sarandës.
Arinjtë e vegjël, ngjyrë të murrme me moshë rreth 5 muaj mbaheshin në kushte tepër të mjerueshme për qëllime përfitimi nëpër plazhet e bregdetit të jugut. Arinjtë u morën në dorëzim nga inspektorët e sektorit operacional ISHMP Qendër, dhe ditën e sotme dorëzuan Kopshtit Zoologjik dhe Drejtorisë së Parqeve dhe të Rekreacionit të Bashkisë Tiranë.
Në fjalën e tij kreu i ISHMP-së, Ergys Agasi tha se:”Në bashkëpunim me policinë e shtetit u bë i mundur arrestimi i një shtetasi që mbante në kushte të mjerueshme dy arinjtë. Ndërsa sot në një marrëveshje të ISHMP-së me Bashkinë e Tiranës u bë i mundur dërgimi i arinjve në Kopshtin Zoologjik në Tiranë. ISHMP vazhdon punën për gjetjen, sekuestrimin e arinjve dhe kafshëve të tjera të cilat mbahen në kundërshtim të plotë me ligjin.” Ndërsa kreu i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit z. Blendi Gonxhe u shpreh se arinjtë prej ditës së sotme do të jenë në një kujdes tejet të vecantë. “Fillimisht do të kalojnë në karantinë për tu kontrolluar dhe vaksinuar nën kujdesin e veterinerëve dhe specialistëve”.
Inspektimet e ISHMP-së bëhen në zbatim të kuadrit ligjor kombëtar për biodiversitetin dhe mbrojtjen e faunës së egër dhe konkretisht të dispozitave të Ligjit nr. 10006, dt. 23.10.2008 “Për mbrojtjen e faunës së egër” dhe te Ligjit nr. 9587, dt 20.7.2006 “Për mbrojtjen e biodiversitetit”, të ndryshuar. Po në këtë kuadër Ministria e Mjedisit, ISHMP dhe AKZM kanë ndërmarrë një fushatë identifikimi të individëve të llojit ari i murrmë, lloj i mbrojtur i faunës së egër, të cilët mbahen në gjendje robërie për qëllime përfitimi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu