Peru, Presidentja nën hetim për korrupsion prej orës luksoze

Prej gati 3 javësh nën hetim për “pasurim të paligjshëm” pas shfaqjes me orë dore luksoze në publik, Presidentja e Perusë, Dina Boluarte në të parën deklaratë publike për akuzën u justifikua me një argument të përdorur shpesh në rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Më duhet të pranoj se ishte gabim që pranova si hua, ato ora nga një mik i imi, i cili m’i dha me qëllimin e mirë për të përfaqësuar denjësisht vendin tim”, tha ajo.

Presidentja peruane, me një të shkuar politike marksiste, u vu nën hetim nga prokurorët vendas më 18 Mars, pasi dështoi të dëshmonte me dokumente burimin e ligjshëm të orave të shtrenjta Rolex.

Hetimet u nxitën nga një emision politik televiziv tepër i ndjekur në Peru, që zbuloi se çmimi i orave Rolex që ajo mbante në duar arrinte deri në 25 mijë Dollarë. Pas nisjes së hetimeve, policia ushtroi kontrolle në shtëpinë e saj, pasi dyshohet se 61-vjeçarja ka edhe pasuri të tjera të pajustifikuara.

Rasti ka shkaktuar tërmet në politikën vendase, pasi 6 ministra dhanë dorëheqjen në shenjë proteste, ndërsa kanë shpërthyer edhe manifestime ku kërkohet dorëheqja e saj.

Rasti i saj është i ngjashëm me atë të ish-kryeministrit kroat Ivo Sanader, i cili prej 2012-ës vuan dënimin me 18 vite burg, pasi iu zbulua një koleksion orash luksoze, blerjen e të cilave nuk e justifikonte.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu