Petkoviq-Hovenierit: E dimë ku janë kufijtë me Kosovën, në përputhje me Kartën e OKB

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, me një mesazh në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter, i është drejtuar ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, duke i thënë se Beogradi e di shumë mirë se ku janë kufijtë me Prishtinën dhe se janë në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Reagimi i Petkoviq erdhi pas deklaratës së bërë një ditë më parë nga Hovenier se s’duhet të vihet në pikëpyetje se Kosova është shtet sovran dhe se Lista Serbe është parti politike opozitare në Kosovë.

Petkoviç theksoi se Lista Serbe është zgjedhja dhe zëri i popullit serb “që mbron interesat kombëtare të popullit të tij ndaj Republikës së Kosovës, jo ambasadave të huaja”.

“Ne e dimë shumë mirë, ambasador i SHBA-së, se ku janë kufijtë me Kosovën, ata janë kufijtë e Serbisë në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244. Dhe Lista Serbe është zgjedhja dhe zëri i Populli serb që mbron interesat kombëtare të popullit të tij në Kosovë, jo ambasadat e huaja!”, tha Petkoviq.

Një ditë më parë (1 gusht), Hovenier komentoi takimin e Listës Serbe me të dërguarin e posaçëm të Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ku theksoi se SHBA-ja kërkon dhe pret që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje.

“Pashë disa komente të Listës Serbe pas takimit dhe dua të theksoj disa gjëra. E para është që SHBA-ja e konsideron Kosovën të jetë, dhe që nga viti 2008 nga shpallja e pavarësisë, ne e kemi njohur të jetë shtet i sovran, i pavarur dhe demokratik.

Puna që bëjmë ne me Listën Serbe, si parti politike e Kosovës, është puna që e bëjmë edhe me të tjera parti opozitare në Kosovë. Nuk duhet të ketë pyetje apo sugjerim për qëndrimin e SHBA-së se Kosova është tjetër pos shtet i pavarur. Dhe kjo përfshin veriun e Kosovës, siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht ku është kufiri. Është veriu i Mitrovicës.

Ne duam që Lista Serbe ta luajë rolin e vet si parti politike në Kosovën sovrane, të pavarur dhe demokratike. Ne nuk e konsiderojmë parti politike serbe, e konsiderojmë si parti e serbëve etnikë në Kosovë. Duhet ta bëjmë këtë të qartë”, ka deklaruar ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu