Premton Zaev: Të gjithë do të përgjigjen për arratisjen e Mijalkovit

VMRO-DPMNE i ka dhënë Qeverisë dhe kryeministrit Zoran Zaev 24 orë afat për ta gjetur të arratisurin, Sasho Mijallkov. Nënkryetari i kësaj partie, Aleksandër Nikollovski dyshon se pas këtij afati, Mijallkov mund të kapet, ndërsa ka akuzuar se në këtë rast bëhet fjalë për marrëveshje, siç shprehet ai, në stilin e Pablo Eskobar.

Aleksandër Nikollovski, VMRO-DPMNE

“Koalicioni kriminal që kemi njoftuar më 22 tetor 2018, Zoran Zaev, Vice Zaev dhe Sasho Mijalkov, arriti kulmin e tij fundjavën e kaluar. Në atë datë, kur dëbuam Sasho Mijalkov nga VMRO-DPMNE, ne njoftuam publikisht për atë koalicion kriminal, i cili jo vetëm në këto tre vjet, por 15 vjet më parë ka punuar për shkatërrimin e Maqedonisë. Shpërblimi për këtë erdhi nga Zoran Zaev në një mënyrë që i mundësoi atij të shpëtojë nga drejtësia. Tani kemi një të arratisur nga drejtësia. Oliver Spasovski është i heshtur, Radmilla Sheqerinska nuk gjendet askund, ndërsa Zoran Zaev pendohet dhe ia hedh fajin institucioneve. Kanë 24 orë për ta gjetur të arratisurin nga drejtësia. 24 orë Zaev, Spasovski dhe pjesa tjetër e Qeverisë, për t’a gjetur të arratisurin nga drejtësia”.

Ndërkohë kryeministri Zoran Zaev, sot ka deklaruar se pret që të zbulohet dhe kapet ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov. Në të kundërtën, Zaev ka thënë se do të kërkojë përgjegjësi nga cili do organ që do të jetë përgjegjës, qoftë nga pushteti gjyqësor apo ai ekzekutiv.

Zoran Zaev

“Si të gjithë njerëzit tanë, unë jam i zhgënjyer që ai nuk është arrestuar ende. Kërkoj nga institucionet që të veprojnë menjëherë dhe ta gjejnë. Pres informacione të hollësishme nga ekzekutivi, përkatësisht nga Ministria e Brendshme. Jam duke pritur për detaje në lidhje me rastin nga gjykata, prokuroria dhe Ministria e Brendshme. Populli ynë pret që të mbahet përgjegjësi nëse vendimi i gjykatës nuk zbatohet, për mua për një nga rastet më të rëndësishme në historinë e Maqedonisë”

Pas deklaratës së këtillë të Zaevit, lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, i ka kërkuar Zaevit dhe Qeverisë së tij dorëheqje, me qëllim që siç thotë ai, t’i jep fundit turpit të këtillë.

“Zaev, mjaft ishte, kur t’i je i dëshpëruar, Maqedonisë i dhemb koka… dorëhiqu, mos u turpëro më shumë”, ka shkruar Mickoski në profilin e tij zyrtarë në Fejsbuk.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu