Presidenti kinez: Unioni Ekonomik Euroaziatik dhe Iniciativa ‘Brezi dhe Rruga’ duhet të thellojnë bashkëpunimin

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka deklaruar se ka “nevojë për të thelluar bashkëpunimin” midis Unionit Ekonomik Euroaziatik dhe Iniciativës ‘Brezi dhe Rruga’.

Ne duhet të mbështesim zhvillimin novator të ekonomisë digjitale, të trajtojmë së bashku ndryshimin global të klimës dhe të promovojmë zhvillimin social dhe ekonomik në rajon”, tha presidenti kinez.

E përditshmja kineze ‘Global Times’ raportoi se përmes një video-konference, ai po adresohej në edicionin e gjashtë të Forumit Ekonomik Lindor, që zhvillohet nga e enjtja deri të shtunën.

Forumi u krijua në vitin 2015 nga presidenti rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë “përparësi zhvillimit ekonomik dhe multisektorial të rajonit të Azisë dhe Paqësorit të Rusisë përmes mundësive të reja për investime të brendshme”.

Iniciativa “Brezi dhe Rruga”, e njohur po ashtu si “Një brez, një rrugë”, është një strategji globale e zhvillimit të infrastrukturës e miratuar nga qeveria kineze në vitin 2013 për të investuar në gati 70 vende dhe organizata ndërkombëtar.

Presidenti Xi tha se Kina dhe Rusia duhet të “intensifikojnë bashkëpunimin në kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e vaksinave, si dhe të kundërshtojnë me forcë politizimin e vaksinave kundër COVID-19 dhe gjurmimin e origjinës së virusit”.

Kryeqytetet perëndimore kanë ndjekur një fushatë për të mbajtur raundin e dytë të hetimit për origjinën e koronavirusit, pasi rastet e para të virusit u raportuan nga qyteti kinez Wuhan në dhjetor të vitit 2019.

Pekini ka mohuar atë, të cilën e quajti “një fushatë poshtëruese që synon arritjen e qëllimeve politike”.

Ambasadori i Kinës në Rusi, Zhang Hanhui, dje në forum tha se Pekini dëshiron rritjen e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik me Lindjen e Largët të Rusisë.

“Kina i jep vlerë të madhe rolit të forumit pasi kjo është një urë bashkëpunimi në gjithë rajonin. Ne jemi të gatshëm të punojmë me Federatën Ruse për zgjerimin e bashkëpunimit në gjithë territorin e Lindjes së Largët, të kontribuojmë në rimëkëmbjen e ekonomisë së rajonit, në zhvillimin e saj të qëndrueshëm dhe në rimëkëmbjen pas pandemisë“, u shpreh Hanhui.

Ai shtoi se Kina është e gatshme të inkurajojë çdo ndërmarrje që mund të investojë në Lindjen e Largët, si dhe të zgjerojë bashkëpunimin dypalësh me Rusinë në fusha të ndryshme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu