Prezantohen video-inçizimet: Dhuna në Kuvend, Todorov përqafohet me një protestues

Gjykimi për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend ka vazhduar me prezantimin e video-inçizimeve nga kamerat televizive në korridorin kryesor dhe press qendrën e Kuvendit.

Në njërën nga incizimet shihet se si ish ministri i shëndetësisë, Nikolla Todorov, përshëndetet dhe përqafohet me njërin nga protestuesit në korridorin e hyrjes kryesore të Kuvendit, pas çka bisedon edhe me personat tjerë që hynë në Kuvend. Gjatë kohës kur turma me dhunë fillon hyrjen në Kuvend, shihet tym i bardhë dhe si i akuzuari, Bogdan Ilievski, mban fjalim para qytetarëve, ndërsa gjithë kohës pranë tij qëndrojnë shërbime me uniformë policore që nuk ndërmarrin asgjë. Këtu gjithashtu shihet i akuzuari, Vlatko Jovanovski, i cili së bashku me turmën këndon brenda Kuvendit. Në mesin e turmës janë edhe deputetët, Krsto Mukovski, Ilija Dimovski, si dhe i akuzuari, Munir Pepiq.

Turma gjithë kohës brohorit “të gjallë do t’u hamë! Zgjedhje! Maqedoni, Maqedoni. Në inçizimin nga pres qendra e Kuvendit, ku të pranishëm janë disa persona të maskuar, vërehet edhe i akuzuari, Igor Jug, që lëviz drejt këndit ku gjenden deputetët, ndërsa mbrapa në mjedis mban një lloj mjeti.

Nga inçizimet jashtë Kuvendit shihet se si një grup i qytetarëve që janë para hyrjes kryesore, lirshëm hynë në Kuvend. Nga inçizimet shihet edhe vetura e ndihmës së shpejtë që insiston të arrijë në hyrjen e pasme të Kuvendit, por pas pengesave nga qytetarët që të depërtojnë, ajo tërhiqet.

Gjatë seancës, për shkaqe shëndetësore, prokurorja publike, Vilma Ruskoska, lëshoi seancën, ndërsa gjykimi vazhdoi me përfaqësuesen tjetër të akuzës, Ivana Trajçevska. Në gjykim ishin 32 të akuzuar për veprën penale “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe shtetit” dhe 2 për nxitje, mungonte Sasho Markovski, për të cilin do të zhvillohet procedurë e ndarë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu