Partizani është skuadra kampione e Shqipërisë. “Demat e Kuq” triumfuan 2-1 në derbin e kryeqytetit kundër Tiranës dhe i dhanë fund një pritje 26-vjeçare. Ndeshja nisi shumë mirë për të besuarit e Skënder Gegës, të cilët gjetën golin në minutën e 30’ me anë të sulmuesit Çinari.
Shkodrani bën gjithçka mirë në hyrje të zonës dhe lëshon një të majtë shumë të fortë, duke shtangur portierin Abibi. Goli i numrit 7 ishte shumë i bukur dhe Partizani në avantazh. Epërsia e “Demave” do të zgjaste vetëm 10 minuta, pasi Tirana barazoi.
Ngo është shumë i fortë për mbrojtjen e kuqe dhe pasi driblon dy futbollistë, shërben bukur te Greca, i cili i vetëm përballë Hoxhës, nuk e ka të vështirë të shënojë. Pjesa e parë mbyllet e barabartë.
Fraksioni i dytë i lojës, nisi më mirë për Tiranën, që kërkoi të përmbysë shifrat. Megjithatë, golin vendimtar do e shënonte Partizani, sërish me anë të Çinarit. Shkodrani merr një pasim perfekt nga Trashi dhe i vetëm përballë Abibit, shënon, duke i dhënë fitoren dhe titullin Partizanit.










