Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor: Katër rekomandime për të arritur një progres të vërtetë

Procesi i Berlinit u iniciua nga Gjermania në vitin 2014 si një platformë për bashkëpunim në nivelin e lartë midis Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, si dhe disa vendeve anëtare të BE-së. Samiti i parë u zhvillua në Berlin në gusht të atij viti.

Edhe pse nuk është deklaruar kurrë zyrtarisht, samiti lidhej qartazi me ndalimin 5-vjeçar të zgjerimit të BE-së të shpallur nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në korrik të atij vitit.

Pra në një farë mënyre, Procesi i Berlinit ishte një gjest që donte të tregonte se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ishin harruar, dhe po ashtu një përpjekje për të ruajtur ritmin e reformave integruese.

Në fillim procesi parashikohej të zgjaste 4 vjet, por vazhdoi edhe më tej. Çdo vit organizohen samite nga vende të ndryshme të BE-së. Deri më tani, janë mbajtur samitet në Berlin (2014), Vjenë (2015), Paris (2016), Trieste (2017), Londër (2018), Poznan (2019), samite virtuale të organizuara nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut në vitin 2020 dhe nga Gjermania në 2021.

Samiti i vitit të kaluar u mbajt sërish në Berlin. Procesi i Berlinit përmban 4 objektiva të deklaruara: zgjidhjen e problemeve të hapura dypalëshe dhe të brendshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor, pajtimin brenda dhe ndërmjet shoqërive në rajon, përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, dhe krijimin e një baze për një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Anëtarësimi në BE nuk është objektivi i qartë i këtij procesi. Sipas faqes së saj në internet, Procesit të Berlinit ka pasur rezultate në 4 fusha: bashkëpunimin ekonomik, bashkëpunimin politik dhe atë të sigurisë, bashkëpunimin social dhe bashkëpunimin në fushën e ndryshimeve ekologjike.

Në fushën e bashkëpunimit ekonomik, vërehet një numër i madh projektesh në sektorin e transportit dhe energjetikës. Arritjet e tjera përfshijnë krijimin e një zone ekonomike rajonale, forumin e investimeve të dhomave të industrisë dhe tregtisë, si dhe të Komunitetit të Transportit, një organizatë ndërkombëtare që përfshin 27 shtetet e BE-së dhe 6 vende të Ballkanit Perëndimor.

Ka shumë më pak shembuj arritjesh për tre fushat e tjera. Krijimi i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor është një shembull i shquar në fushën e bashkëpunimit social. Por në përgjithësi është arritur pak në lidhje me 4 objektivat fillestare të Procesit të Berlinit.

Kështu nuk ka ndonjë përparim të madh në zgjidhjen e çështjeve të hapura dypalëshe dhe të brendshme, gjë që është më e dukshme në marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu nuk ka ndonjë përparim real as në aspektin e pajtimit brenda dhe ndërmjet shoqërive të rajonit. Shumë ekspertë thonë se shoqëritë e Ballkanit Perëndimor janë më të polarizuara se kurrë. Po ashtu, bashkëpunimi ekonomik rajonal është ende i kufizuar.

Nuk është krijuar as baza për një rritje të qëndrueshme ekonomike, pasi pabarazitë sociale në Ballkanin Perëndimor janë ende të mëdha dhe emigracioni konsiderohet shpesh nga të rinjtë si mënyra e vetme për të pasur një jetë dinjitoze. Por pse Procesi i Berlinit nuk ka arritur shumë përparime?

Kjo ka ndodhur për 4 arsye të dukshme. Së pari, shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë konsideruar gjithmonë procesin si një zëvendësues të keq për zgjerimin e BE-së. Shtetet anëtare të BE-së nuk kanë deklaruar asnjëherë në mënyrë të besueshme se Procesi i Berlinit synon të mbështetesë anëtarësimin e mundshëm në union.

Së dyti, shtetet e këtij rajoni e kanë perceptuar gjithmonë Procesin e Berlinit si diçka që iu imponua nga jashtë. Vetë emri “Procesi i Berlinit” tregon simbolikisht se procesi po nxitet nga interesat e Berlinit dhe jo për ato të Ballkanit.

Së treti, Procesi i Berlinit ka injoruar disa nga problemet më të rëndësishme ekonomike dhe sociale në rajon. Një pjesë e madhe e prapambetjes ekonomike ka ardhur për shkak të infrastrukturës së dobët dhe mungesës së investimeve publike, në rrugë, hekurudha, sistemet e ujërave të zeza, depozitimin e mbetjeve apo prodhimin e energjisë.

Mënyra e vetme për të zgjidhur këto probleme është rritja e investimeve publike, por Procesi i Berlinit nuk po bën mjaftueshëm për të lobuar për grumbullimin e fondeve për infrastrukturën.

Së katërti, politikanët vendas kanë pasur shumë pak stimuj politikë për të çuar përpara projektin. Nga pikëpamja ekonomike, përfitimi i mundshëm nga përmirësimi i bashkëpunimit rajonal në shtetet e Ballkanit Perëndimor është mjaft i kufizuar.

Por çfarë duhet bërë në këto kushte? Ne rekomandojnë ndërmarrjen e 4 hapave.

Ndryshimi i parë i rëndësishëm duhet të jetë përcaktimi zyrtar i mbështetjes dhe përshpejtimit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE si objektivi i parë dhe më i rëndësishëm i Procesit të Berlinit. Përndryshe, procesi do të vazhdojë të perceptohet si një alternativë aspak joshëse ndaj anëtarësimin në BE.

Së dyti, duhet të jetë që procesi të fokusohet jo vetëm tek aktorët nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe tek aktorët nga BE-ja. Nga njëra anë, Gjermania dhe Franca, si vende udhëheqëse të BE-së, duhet të përdorin peshën e tyre politike për të vendosur piketa konkrete për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në union.

Nga ana tjetër, ato duhet të ofrojnë edhe mjetet e duhura financiare për një nxitje të madhe të investimeve infrastrukturore në rajon.

Së treti, Procesi i Berlinit duhet të sigurojë mbështetje më të madhe financiare për rajonin, në mënyrë që të rrisë zhvillimin ekonomik dhe të ulë pabarazitë sociale. Mënyra më e mirë do të ishte integrimi i plotë i shteteve të Ballkanit Perëndimor në procesin buxhetor të BE-së përpara anëtarësimit të tyre të plotë.

Së katërti, duhet të mbështetet nisma e fundit lokale, Open Ballkan, ku bën pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të cilat kanë nisur një nismë për bashkëpunim rajonal të quajtur Ballkani i Hapur.

Edhe pse ajo ka problemet e veta (sidomos sepse nuk përfshin të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor), ajo ka një avantazh të qartë ndaj Procesit të Berlinit: mbështetet dhe drejtohet nga aktorët vendas, ku politikanët dhe vendimmarrësit politikë të Ballkanit janë shumë më të përkushtuar ndaj këtij projekti sesa ndaj çdo nisme tjetër.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu