Promovimi i demokracisë jashtë vendit, kërkon më parë mbrojtjen e saj brenda SHBA-së

Një ndër fjalët më të urta që përmendet shpesh nga të gjithë,është se ajo që nuk të vret të bën më të fortë. Në fakt kjo nuk është e vërtetë. Disa gjëra që gati mund t’ju vrasin (Covid-19 më vjen menjëherë në mendje) mund t’ju ​​bëjnë fizikisht më të dobët me kalimin e kohës.

Gjithsesi, ky citat na kujton qëndrueshmërinë tonë dhe leksionet që mund të nxjerrim nga sprovat dhe dështimet tona. “Ne do ta kapërcejmë edhe këtë vështirësi!” është një shtysë e mirë për të ecur përpara.

Kësisoj është e mundur që sfidat ndaj demokracisë në kohën tonë, duke përfshirë disa përvoja afër vdekjes, mund ta forcojnë atë në një periudhë afatgjatë. Të paktën, demokratët e përkushtuar kanë hequr dorë nga vetëkënaqësia, që nisi pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Ne tani e dimë, siç duhet ta kishim ditur në fakt gjatë gjithë kohës, se e ardhmja nuk është në mënyrë të pashmangshme demokratike. Një rezultat pozitiv i mizorisë sonë, është një lumë librash rreth asaj që e dëmton demokracinë, dhe çfarë duhet bërë për ta shpëtuar atë.

Autorë të tillë si Daniel Ziblatt dhe Steven Levitsky, Timothy Snyder, William Galston, Yascha Mounk, Edward Luce, Masha Gessen, Robert Kuttner dhe Anne Applebaum kanë ofruar paralajmërime dhe receta se si dilet nga kriza.

Një botim më i fundmi në këtë fushë “Demokracia sundon” i Jan-Werner Müller, e vë theksin tek fakti se“humbja është një punë e ndërlikuar në një demokraci”. Akuzat e rreme të Donald Trump për manipulimin e zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, nuk pasqyrojnë thjesht paaftësinë e tij psikologjike për të pranuar se ai ishte në fakt humbësi zgjedhjeve.

Ato janë gjithashtu një kërcënim për vetë sistemin demokratik. Müller, profesor i shkencave shoqërore në Universitetin e Prinstonit, vëren se “forma të caktuara të humbjes, minojnë në mënyrë aktive demokracinë, ndërsa të tjerat mund ta forcojnë këtë të fundit”.

Humbja mund të jetë një problem i veçantë për partitë dhe kandidatët që e konsiderojnë veten si populistë:“E si mund të ndodhë që populistët të jenë përfaqësuesit e vetëm moralisht të ligjshëm të popullit,e megjithatë të mos arrijnë të marrin shumicën dërrmuese në kutitë e votimit?”.

Kjo logjikë çon në llojin e manipulimit të zgjedhjeve që po ndërmerret tani nga shumë legjislatura republikane në nivel shtetesh. Nga pretendimi fals populist “vetëm një votë për përfaqësuesin unik autentik të popullit është legjitime (dhe e ligjshme)”.

Nuk është çudi, thotë Müller, që Donald Trump e quajti turmën e 6 janarit si “populli i vërtetë amerikan”.Por nëse fituesit në një demokraci duhet t’i rezistojnë përpjekjeve të humbësve për të minuar vetë sistemin, edhe ata gjithashtu i detyrohen humbësve mundësinë për të fituar herën tjetër, dhe lirinë për të vazhduar kauzën e tyre.

Të mundurit duhet të kenë (përkohësisht)mundësinë të “vendosin kushte të reja për jetën politike në tërësi” thekson më tej Müller. Vlen të kujtohet, shton ai, se “humbjet elektorale shkatërruese – nëse dikush humbet edhe duke qenë në rrugën e duhur – mund të kthehen më vonë në fitore afatgjata”.

Në këtë rast ai merr si shembull humbjen dërrmuese të republikanit konservator Barry Goldwater në zgjedhjet presidenciale të vitit 1964, si shtrimin e rrugës për fitoren e Ronald Reagan 16 vjet më vonë. Është shumë i dobishëm edhe theksi që vendos Müller mbi pasigurinë si një virtyt thelbësor demokratik.

Është e vërtetë, shkruan ai, askush nuk do të marshojë me pankarta Ku thuhet “Ne duam tani një pasiguri të institucionalizuar!”, aq më pak pas pandemisë apo debateve mbi zgjedhjet e vitit 2020. Por ai ka të drejtë kur thotë se“pasiguria për fituesin, është e njëjtë me shpresën e humbësit”, pasi “demokracia nuk ka kuptim pa mundësinë që njerëzit të ndryshojnë mendjet paktën ndonjëherë”.

Gjithashtu ai analizon kundërvëniet partiake, duke theksuar se partitë politike janë thelbësore për një sundimin demokratik. Partitë, shkruan ai, “nuk janë automatikisht përçarëse, shpërqendruese dhe të rrezikshme”, por ato mbeten “mënyra më e mirë për të kuptuar vlerën e të drejtave individuale demokratike, dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet kolektive”.

Müller i cilëson institucionet e medias si pjesë të “infrastrukturës jetike” të demokracisë. Por ai thekson se pavarësisht nëse janë apo jo partiake, këto forume ku merret dije dhe debatohet, duhet t’i përkushtohen “sigurimit të informacionit të saktë, që mund të kontrollohet (dhe ri-kontrollohet)”.

Për pasojë, ato janë shumë të rëndësishme për “mbulimin simetrik” të zhvillimeve politike në “situatat e një polarizimit asimetrik” kur “njëra palë është kthyer kundër rregullave themelore demokratike, apo po e mashtron publikun në mënyrë sistematike mbi faktet më themelore”.

Müller ofron aq shumë mendime provokuese dhe të dobishme, saqë shumica e lexuesve nuk do të pajtohen me të për diçka. Unë e kam parë këtë me përkufizimin e tij kryesisht negativ mbi populizmin, meqenëse unë vetë e shoh populizmin si mundësi pozitive dhe negative, demokratike dhe jodemokratike.

Por ai i shërben shumë mirë kuptimit tonë mbi atë çka është në lojë në politikën bashkëkohore, duke e bërë të qartë se demokracia është më shumë se sa vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ajo përfshin edhe lirinë edhe barazinë; debatin e hapur dhe këmbënguljen se “njerëzit nuk mund të kenë leje për të minuar pozitën e bashkëqytetarëve të tyre si anëtarë të lirë dhe të barabartë të shtetit ku jetojnë”.

Argumenti i fundit duhet të jetë në mendjen e senatorëve amerikanë, teksa do të debatojnë muajin e ardhshëm mbi të drejtat e votimit. Debatet tona pas largimit nga Afganistanit mbi përgjegjësinë amerikane ndaj demokracinë në botë, do të jenë më boshe në rast sene lejojmë minimin e demokracinë në SHBA. Armiqtë e lirisë jashtë vendit, nuk do të donin asgjë më të mirë sesa vetë ne amerikanët të distancoheshim nga rregullat e demokracisë.

Nga E.J Dionne Jr., The Washington Post


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu