Provokimet e serbëve në Katar, Çeku: Mesazhe gjenocidale ndaj Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, ka reaguar pasi në zhveshtoren e lojtarëve të Serbisë në Katar, të enjten është vendosur një flamur ku shihej harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb, me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”

Çeku e ka quajtur të turpshëm veprimin e Serbisë, ndërsa ka kërkuar reagimin e FIFA-s.

Ai gjithashtu ka thënë se këto mesazhe janë të urrejtjes, ksenofobisë dhe gjenocidit ndaj Kosovës.

Pamje të turpshme nga zhveshtorja e Serbisë, duke shfaqur mesazhe urrejtjeje, ksenofobie dhe gjenocidale ndaj Kosovës, teksa shfrytëzojnë platformën e Kupës Botërore. Presim veprime konkrete nga FIFA duke marrë parasysh se FFK-ja është anëtar i plotë i FIFA-s dhe UEFA-s”, ka shkruar ministri në Twitter.

Ndryshe, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), njoftoi të premten se ka paraqitur ankesë në FIFA për siç e ka quajtur, veprimin agresiv të ekipit përfaqësues të Serbisë në ndeshjen ndaj Brazilit, në kuadër të Kupës së Botës “Katar 2022”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu