Pse Franca mbështet Armeninë në konfliktin me Azerbajxhanin

Politika franceze vijon të kryejë hapa të qartë kundër qasjes së Turqisë, këtë herë në Nagorno-Karabakh. Me vetëm një votë kundër parlamenti francez miratoi rezolutën për njohjen e sovranitetit të Armenisë në Nagorno-Karabakh.

Por pse Parisi mbështet Armeninë në këtë konflikt

Vazhdimi i përplasjes mes Francës dhe Turqisë, tashmë përfshin dhe mjete të tjera. Senati francez miratoi një rezolutë që i kërkon qeverisë së Parisit dhe diplomacisë së tij që të njohë sovranitetin e Armenisë në Nagono-Karabakh.

Votimi i cili nuk është se do të ketë shumë pasoja, shënoi vetëm një votë kundër, 305 pro dhe 30 abstenime. Një rezultat simbolik, dhe politikisht domethënës.

Senatori republikan Bruno Retailleau i Le Republika u shpreh se nëse ky konflikt përhapet përtej përmasave vendore, për shkak të ndërhyrjes së Turqisë, në emër të një politike ekspansioniste neo – otomane, do të përbënte një kërcënim për të gjithë botën kundër paqes dhe interesave të Francës.

Ata që abstenuan ishin deputetët e En Marche, partia politike e presidentit Macron dhe qeverisë franceze. Nëse do të kishin votuar pro, presidenca dhe politika e jashtme e Francës do të ishte vënë në një situatë të sikletshme.

Diplomacia franceze në fakt, zyrtarisht është rreshtuar me atë europiane, duke pranuar dhe pse pa dëshirë, rolin e rëndësishëm të Rusisë së Putin për vendosjen e armëpushimit.

Nagorno-Karbakh është një enklavë armene në Azerbajxhan. Me një veprim të shpejtë ushtarak, Baku mori nën kontroll, në fillim të muajit nëntor, një pjesë të mirë të territorit. Njësitë ushtarake azere ndaluan vetëm pas ndërhyrjes diplomatike personale të Vladimir Putin dhe dërgimit të ushtarëve rusë në një korridor të vogël mes Karabakh dhe republikës armene.

Dhe është pikërisht kjo një pikë shumë e ndjeshme për Francën, meqenëse ajo që në fakt është një pakt për të mos sulmuar, ruso – turk, është kthyer në një pikë të përbashkët të palëve në Mesdhe, Lindje të Mesme dhe Kaukaz.

Në mungesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dëshmoi se ka shumë pak ndikim në një rajon të rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e saj energjetike.

Azerbajxhani reagoi menjëherë duke kërkuar përjashtimin e Parisit nga Grupi i Minsk për ndërmjetësimin e konfliktit në Nagorno-Karabakh.

Ndër të tjera, rrethanat treguan se për Francën, pa mbështetjen gjermane dhe platformën amerikane, është e vështirë që të përsërisë skemën negociuese që menaxhon tensionet e armatosura në Ukrainë dhe që në vitin 1994 kishte ngrirë konfliktin në Nagorno-Karabakh.

Vendet europiane kanë interesa ekonomike dhe politike në dhe me Azerbajxhanin. Jerevani në të kundërt kishte nisur disa vjet më parë një afrim të ngadaltë me BE. Një proces politik të cilin Moska e shihte si një paralajmërim për konvertimin në kërcënimin e radhës. Në Armeni në fakt ndodhet një bazë e rëndësishme ushtarake ruse. Fakti që qeveria armene mori ndihmën e Moskës në luftën kundër Azerbajxhanit shkaktoi një frenim të befasishëm në bisedimet mes Jerevan dhe Brukselit. Por për Francën situata nuk është e lehtë dhe për arsye të brendshme.

Në Francë jeton një komunitet armen i fortë dhe me ndikim, i pranishëm që në shekullin e 15, por që është rritur me kalimin e kohës sidomos që nga Genocidi i Luftës së parë Botërore. Përbëhet nga 600 mijë persona, nga të cilët 400 mijë kanë lindur në Francë, dhe që janë shumë të lidhur me identitetin e tyre.

Armenët kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në art, letërsi, politikë dhe tregti në vend. Në vitin 2001 parlamenti francez miratoi një ligj për njohjen zyrtare të genocidit armen.

Ky vendim shkaktoi zemërimin e Turqisë që ka mohuar gjithnjë akuzat dhe sidomos ekzistencën e vetë genocidit.

Nga Sergio Cantone, Euronews


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu