Putin firmos ‘dekretin’, Rusia do të rrisë numrin e ushtarëve me 137 mijë trupa të reja

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi ushtrinë e vendit që të rrisë numrin e forcave të armatosura me 137 mijë trupa të reja. Kjo vjen teksa mbi 100 mijë ushtarë rusë janë angazhuar në luftën në Ukrainë, ku mijëra prej tyre raportohen të vrarë ose plagosur.

Dekreti i Putin do të nisë të zbatohet më 1 janar, ndërsa nuk shpjegohet nëse bëhet fjalë për rekrutë të rinj, vullnetarë apo një kombinim i këtyre të dyjave.

Kjo do ta çojë numrin e përgjithshëm të personelit të forcave të armatosura të Rusisë në 2 milionë e 40 mijë, përfshirë 1.1 milionë ushtarë aktivë. Kremlini ka saktësuar se vetëm ushtarë profesionistë po marrin pjesë në atë që e konsideron “operacion special” në Ukrainë.

Megjithatë, mediat kanë raportuar se autoritetet ruse po kërkojnë të tërheqin vullnetarë për t’i dërguar në luftë, madje duke përdorur edhe amnistinë si shpërblim për të burgosurit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu