Qëllimi i Vuçiqit me “Open Ballkan”

Nga: Dilaver Goxhaj

Historia ka treguar se kur në krye të shtetit vinë njerëz mafiozë e delirantë dhe me pushtet të plotë, përmes metodave të tyre mafioze dhe korruptimit të shoqërisë së atij shteti e më gjerë, arrijnë që të gjitha kategoritë morale dhe normat e pranueshme si të zakonshme për sjelljen njerëzore, i nënshtrohen procesit të shndërrimit të përhershëm dialektik: vesi – mund të bëhet – virtyt; çnderimi – nderim; detyra – një paragjykim; poshtërsia – një akt heroik dhe heroizmi – një poshtërsi. Ky lloj shndërrimi ka ndodhur edhe në Serbi, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, si rrjedhojë e politikës demagogjike mafioze të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka kopjuar Rrethin Nazist Durer të pas-luftës së Dytë Botërore, Rreth, i cili arriti të rikthente në pushtet dhe të bënin jetë noramale të gjithë kriminelët nazistë të asaj lufte botërore, duke u siguruar edhe pension shtetëror në Gjermaninë Perëndimore.

“Rrethi Durer” ka qenë redaksia e revistës “Der Weg”, revistë nostalgjike e “Urdhrit të Zi”, e drejtuar prej ish-SS nazist Eberhard Friç, i cili ishte edhe redaktori i kësaj reviste. Selia e kësaj reviste ishte vendosur në bulevardin Sermento 542 në Buenos-Ajres, në Argjentinë, e cila u kthye strehuesja e gjithë kriminelëve nazistë të “Urdhrit të Zi” që mundën të arratiseshin nga Naziste në pragun e mbarimit të L II B ose menjëherë pas saj, për të humbur gjurmët dhe të mos i nënshtroheshin Gjykatës së Nurenbergut. “Urdhri i Zi” s’ishte gjë tjetër veçse: kërkimi, përzgjedhja dhe vrasja e hebrejve në Evropë, sipas të cilit u shfarrosën gjashtë milionë hebrej.

“Rrethi Durer” lindi kur bota po zbulonte ngadalë shfarosjen e hebrenjve në Evropë, për të prishur makinacionet e tyre dhe për rehabilitimin e tyre si dhe të vetë Gjermanisë, për shpengimin e nazizmit dhe të vet Hitlerit. Dhe ky Rreth, në vitin 1956, bëri të mundur që ta bindte qeverinë e Gjermanisë Perëndimore të kërkonte dhe arriti heqjen nga përzgjedhja zyrtare e Festivalit të Filmit në Kanë, (në emër të pajtimit franko-gjerman), filmin “Natë dhe mjegull” nga Alain Resnais, se gjoja shqetësonte ndërgjegjen e popullit gjerman, (sikundër kërkon të bëjë sot Vuçiçi-Zaevi dhe Rama në emër të pajtimit Kosovë-Serbi). Madje, “Rrethi Durer” e mohoi shifrën e 6 milionëve hebrenj të vrarë, duke e vlerësuar ndërmarrjen e asgjësimit të tyre, por fliste vetëm për 365 mijë (treqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë) viktima hebreje; mohuan vrasjet masive, kamionët dhe dhomat e gazit. Ai Rreth thoshte: “Ky është vetëm një falsifikim i historisë, është një tjetër dredhi e sionizmit botëror për të fajësuar dhe shkatërruar Gjermaninë, pasi i deklaruan luftë dhe e ndëshkuan rëndë Gjermaninë me shtatë milionë të vdekur, qytetet më të bukura të shndërruara në pluhur, humbje e tokave shekullore në lindje etj.” Dhe këtë mbrojtje të krimeve të Gjermanisë Naziste e realizuan me intervistat e bëra me ekspertin e fundit që nga vdekja e Hitlerit, Himlerit dhe Heidrihut, me Adolf Ajhman.

Këtë politikë e këtë propagandë identike ka bërë e bën Serbia këta 22 vite pas mbarimit të luftës në Kosovë. Ngjashmëria me atë propagandë naziste është edhe për futjen Kosovës në Kushtetutën e tyre si pjesë të Serbisë, gjë që Rrethi nuk arriti dot për tokat e humbura në Lindje. Por, ndryshe nga “Rrethi Durer” që ishte vetëm një organizatë politike naziste, në rastin tonë kemi të bëjmë me një shkallë shumë më të lartë se ai Rreth, kemi të bëjmë me qeverinë dhe presidencën e shtetit të Serbisë, të udhëhequr nga Gëbelsi i Millosheviçit, Aleksandër Vuçiç, duke vepruar ngjashëm si mëkëmbësi i Hitlerit Adolf Ajhman, duke e shndërruar Serbinë në rolin e viktimës dhe duke mohuar të gjitha krimet që kanë bërë në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, të cilat i kemi pasqyruar në shkrimet e para disa ditëve. Kjo propagandë e Serbisë, e drejtuar prej ish-Ministrit të Propagandës së Millosheviçit, ngaqë është një shkallë shumë herë më e lartë se “Rrethi Durer”, ndryshe prej arritjes së tyre, Serbia e arriti ta shpallin hero Millosheviçin, gjë që ata nuk e shpallën dot Hitlerin.

Dhe, faktikisht Vuçiçi, pasi arriti ta bindi pothuajse gjithë kombin serb, (me përjashtim të disa intelektualëve seriozë), për “pafajësinë” e Serbisë ndaj Kosovës; pasi arriti të reabilitoi të gjithë gjeneralët dhe gjithë oficerët e rangjeve të tjera të ushtrisë dhe policisë serbe që kryen krimet në Kosovë, të cilët i dekoroi, i ngriti në grada dhe sot i ka emëruar në funksione të larta ushtarake e politike; pasi arriti t’i shpalli heronj kriminelët Millosheviç, Arkan, Sheshel etj, duke u ngritur edhe përmendore, tash, përmes nismës së djeshme të Mini-Shengenit, me të cilën arriti të bindte udhëheqjet e LDK, PDK, AAK e Nissma në Kosovë për faljen e krimeve të saj; pasi bindi edhe udhëheqjen politike (pozitë e opozitë) të Maqedonisë (përfshi dhe BDI-në e Ali Ahmetit); pasi arriti të bindi për këtë falje edhe udhëheqjen e PS e të PD me satelitët e tyre në Shqipëri, shpiku traktatin “Open Ballkan” për të bindur popullin shqiptar në Kosovë, i cili të bindet se ka parë në ëndërr, dhe qeverinë aktuale të saj me në krye Albin Kurtin, se nga Serbia nuk i ka bërë ndonjë të keqe Kosovës dhe popullit të saj, dhe së fundi ta bindi atë popull se gjithë të këqijat Kosovës i kanë ardhur dhe do t’i vinë nga Shqipëria. Dhe deridiku Vuçiçi ia ka arritur qëllimit, pasi janë hedhur në përhapje të kësaj propaganda të Vuçiçit me dhjetëra mijëra patronazhistë dhe militantë të LDK, PDK, AAK në Kosovë si dhe të PS-së dhe PD-së në Shqipëri.

Ky proces i shndërrimeve të mendësisë së politikanëve shqiptarë në Ballkan, për të mos i kërkuar llogari deri në fund Serbisë për krimet e bëra në Kosovë, të bëndur prej asaj politike mafioze të shtetit të Serbisë, vërtetuan shprehjen filozofike të shkrimtarit George Orwell: “Gjuha politike ka për qëllim t’i bëjë gënjeshtrat të ngjajnë të vërteta, dhe vrasjet të ngjajnë të respektueshme». Por ja që, historia mënon por nuk harron detyrën e saj të vetme e të dobishme, dhe kjo e dobishme s’mund të ketë tjetër burim, veçse të vërtetën.

 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu