Qeveria e Kosovës në rrezik, zënka mes Avdullah Hotit dhe Haradinajt

Lideri Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka dal kundër vendimit të kryeministrit, Avdullah Hoti për shuarjen e task forcës.

“Shkarkimi i task forcës kundër korrupsionit shkakton pasiguri juridike. Kjo task forcë ka funksionuar më shumë se 10 vite. Kanë hetuar dhe kanë qenë në proces të hetimit të shumë rasteve të profilit të lartë në bazë të mandatit të tyre. Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo task forcë të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjik si ShBA dhe BE. Në përmirësimin e institucioneve tona duhet të kemi plan.

Çdo vendim pa plan, e i aty për atyshëm mund të kuptohet si ndërhyrje politike ose hakmarrje ndaj proceseve të pavarura. Gjatë mandatit tim si Kryeministër jam ballafaquar me disa raste për të cilat ka pasur vendim për hetime ose aktakuzë. Vendimi im ka qenë që të ruaj sistemin dhe ta fuqizoj të njejtin. Kam rritur rrogat e policisë, prokurorëve dhe gjykatësve dhe ju kam dhënë pavarësi të plotë. Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Unë kam paguar çmim që të ruaj sundimin e ligjit mbi përfitimet politike. Të njëjtën e pres nga çdo Qeveri e Republikës së Kosovës”, shkroi Haradinaj.

E ndaj tij reagoi mënjeherë kryeministri, Avdullah Hoti.

“Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Këtë e kemi bërë me vendimet që kemi marr në këta muaj të qeverisjes. Drejtësia duhet ta bëjë punën sipas ligjit, e jo sipas vendimeve të Qeverisë. Kthimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend duhet të jetë angazhim i të gjithëve. Kjo qeveri është e vendosur për të fuqizuar shtetin ligjor. Siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore”, shkroi Hoti në kundërpërgjigjen e tij ndaj Haradinajt, shkruan “Bota sot”.

Por, përplasja ka vazhduar edhe më tej, pasi Ramush Haradinaj përsëri ka reaguar ndaj kryeministrit Hoti.

“Gjatë jetëgjatësisë së demokracisë së vendit tonë, sa herë që Kushtetuta e Republikës është zbatuar për interesat e një partie të caktuar, ka dalë të jetë e gabuar”, shkruan Haradinaj në profilin e tij në facebook.(BotaSot)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu