Qeveria e RMV-së shkarkoi drejtorin e fabrikës “Kolska”

Qeveria njofton zyrtarisht se drejtuesi dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të fabrikës “Kolskës” janë shkarkuar.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme të 90-të ka shkarkuar nga detyra udhëheqësin dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të fabrikës për makina hekurudhore “Veles”, DOOEL – Veles (e njohur në publik si Kolska). Në seancë është konstatuar se menaxhmenti i fabrikës ka treguar rezultate financiare negative në funksionimin e saj, pavarësisht se këtij subjekti i është dhënë mbështetje financiare nga Qeveria”, thuhet në njoftimin e Qeverisë dërguar mediave.

“Ekipi menaxhues i fabrikës së makinave hekurudhore “Kolska” do të shkarkohet për shkak të mosdhënies së rezultateve”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski

“Sot kemi grevë të punëtorëve të fabrikës ‘Kolska’, por drejtori dhe anëtarët e bordit drejtues janë larguar. Ata duhet të jenë bashkëpunëtorët. Nëse jeni drejtor dhe thjesht vini në një mbledhje të Qeverisë pa bërë asgjë në kompaninë tuaj, për të racionalizuar një proces, për të përmirësuar të ardhurat që keni, për të rritur faturimin, për të ulur kostot dhe e vetmja gjë që dini është të kërkoni ndihmë financiare, atëherë nuk kam nevojë për një drejtor të tillë. Nuk dua të punoj me drejtorë të tillë”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën e sotme për media.

Punonjësit e kësaj fabrike sot kanë protestuar para Qeverisë duke kërkuar shlyerjen e pagave të prapambetura dhe zgjidhjen e problemit me llogarinë e bllokuar të fabrikës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu