Rama i del në mbrojtje Kurtit: S’jam aspak dakord me sulmin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë hapur në mbrojtje të homologut të tij nga Kosova, Albin Kurti, pas marrëveshjes së arritur mbi çështjen e targave serbe dhe vijimësinë e mëtejshme të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

E gjithë kjo, pas ndërmjetësimit amerikan dhe evropian, për të zgjidhur mosmarrëveshjen e targave mes të dy vendeve, duke rezultuar në pezullimin tërësor të gjobave nga ana e Kosovës.

“S’jam aspak dakord me sulmet ndaj Albin Kurtit pas marrëveshjes së duhur që fatmirësisht mbylli shtegun e rihapur të zhvillimeve të paparashikueshme!”, shkruan Rama në median e tij sociale Twitter.

Kjo, referuar kritikave që Kurti ka marrë për sprapsje nga gjobat ndaj targave serbe në veri të Kosovës, të cilat janë ilegale duke parashtruar faktin se Kosova është shtet sovran dhe me integritet territorial.

Ndaj, mbi këtë çështje, kreu i Qeverisë shqiptare mendon se të sulmosh Kurtin se u soll si kryeministër, është njësoj si t’i kërkosh hesap pse nuk mendon e flet njësoj, si kur ishte në burg, thënë në fjalët e tij.

Raportet mes Ramës e Kurtit kanë pasur gjithnjë ulje-ngritje dhe tensione mes palëve, mbi të gjitha për situatat e krijuara në lidhje me nismën rajonale “Open Balkan”, ku Shqipëria aderon dhe Prishtina është radikalisht kundër saj, parë edhe faktin se Serbia është pjesë e nismës dhe si e tillë, Kosova mbetet e paragjykuar dhe jo e njohur nga Beogradi në kuadrin rajonal.

Përpos kësaj, në mbledhje të përbashkëta, përtej tensioneve në dinstancë dhe replikave mbi çështje të ndryshme, dy kryeministrat kanë treguar një gjuhë më të butë dhe kanë theksuar më shumë se një herë se raportet mes tyre, janë shumë të mira.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu