Rama i kthen shpinën Erdoganit në Paris?

Edi Rama nuk do t’i kujtojë thirrjet miqësore për vëllain Taip, shëtitjet me makinën e tij në urën e sapo inaguruar mbi Bosfor, kërcimin në dasmën e së bijës, apo faktin se ai u bë kryeministri i parë shqiptar, që e shpalli Turqinë një aleat strategjik. I ftuar në televizionin francez France 24, për të folur lidhur me hapjen e mundshme të negociatave, kryeministri nuk iu shmang dot pyetjeve bazë që mediat perendimore (besohet jo kazan) kanë për vendin tonë. Por midis shqetësimeve për plagosjen e gazetarit opozitar, problemeve me kriminalitetin, dorëheqjes së tij, eksodit masiv të të rinjve, fondeve që Shqipëria do t’i kushtojë BE-së, kryeministri shqiptar u pyet edhe për miqësinë e tij të ngushtë me Erdoganin, që shihet në tokën e galëve si një dele e zezë.

Jo më larg se dy ditë më parë se Rama të jepte intervistën, Franca u kaplua nga një polemikë e madhe lidhur me kërcënimet që u kishin bërë kioskave që shisnin gazetat, anëtarët e partisë të Erdoganit, AKP. Shkak për këtë shërbeu kopertina e revistës prestigjoze “Le Point”, e cila kishte botuar në kopertinën e saj një foto të presidentit turk sikur dilte nga errësiara duke shkruar mbi ballin e tij: “Diktatori” (foto poshte).

Le Point
Prandaj për shumëkënd në Francë mund të jetë çudi fakti se si një njeri që kërkon të shfaqet në perëndim si atleti i përparimit të vendit të tij drejt BE-së, hiqet në lindje si miku i padronit të pallatit të bardhë me 1150 dhoma.

Prandaj në intervistën në France 24, Edi Rama u pyet direkt për raportin e tij me sulltanin e ri të Ankarasë.

“Erdogan ka deklaruar se ka investuar 3 miliard euro në Shqiperi edhe një aroport në Vlorë. A i mbështesni ju këto investime”?- e pyeti gazetarja. Por, për çudi Rama përpiqet t’i devijojë pyetjes, ai nuk flet asnjë fjalë për aeroportin, nuk mburret siç bën në Tiranë kur shpërndan video si pasagjeri i shoferit Erdogan dhe me e rëndësishmja, gjë që s’e ka bërë kurrë më parë, e vë Turqinë në të njëjtën shkallë me Rusinë, duke rënë në krahasimin e lehtë që europianët bëjnë mes Putinit dhe Erdoganit: “Bëhet fjalë për 30 vite bashkëpunim, s’janë 3 miliardë të ditës së sotme. Siç ndodh edhe në vende të tjera, secili ka lirinë për të bërë biznese qofshin ndërmarrje turke, apo ruse”, ka thënë Rama.

Edhe pas insistimit të gazetares: “Pra ai nuk po kërkon të zgjerojë influencën e tij në Ballkan e veçanërisht në Shqiperi”?, kryeministri i ka devijuar sërish pyetjes

“Shqiperia me Turqine ka një miqësi prej kohësh, është vend muslimanësh e të krishterësh, por feja e sotme është Evropa”, ka thënë gjatë intervistës, duke konfirmuar parimin e përdorjes së gjuhës së dyfishtë, sa herë që është në hall. Kështu po bën edhe me Erdoganin, i nxehtë kur e prezanton në Shqipëri, i ftohtë kur e pyesin në perëndim.

©Lapsi.al


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu