Ratajkoski: TVM-ja do ta dënojë të punësuarin që ka gabuar me publikimin e reklamave qeveritare

TVM-ja e ka parë gabimin dhe do ta sanksionojë të punësuarin që e ka bërë gabimin me publikimin e reklamave qeveritare, thotë Dime Ratajkoski, kryeredaktor i Shërbimit të parë programor të Televizionit të Maqedonisë. Ai për “Meta” thotë se pas udhëzimeve të marra nga Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale më 2 shtator të vitit 2016, TVM-ja i ka hequr të gjitha reklamat e financuara nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë.

– Shërbimi i parë programor i TVM-së më 5 shtator të vitit 2016 bëri një analizë të detajuar të programit dhe vërtetoi se shkelja e konstatuar nga organi ad-hoc është e saktë – thotë Ratajkoski.

Ai thotë se bëhet fjalë për emetimin e dy reklamave qeveritare “Maqedonia punëson” dhe “Hulumtoje Maqedoninë”, të emetuara para ditarit të tretë televiziv më 4 shtator të vitit 2016.

– Bëhet fjalë për gabim nga pakujdesia edhe përkundër urdhër të dhënë me shkrim dhe me gojë në regji. Udhëheqësi i programit, nga mosdija ose mosinformimi, pa qëllim (sipas deklaratave të udhëheqësit të programit), e ka bërë shkeljen. Në përputhje me aktet për masa diciplinore të TVM-së, të gjithë të punësuarit që do të bëjnë ndonjë shkelje, do të sanksionohen në mënyrë adekuate. Theksojmë se pas njoftimit nga Agjencia për shërbime mediatie audio dhe audiovizuale, RTM-ja i largoi të gjitha reklamat qeveritare, dhe në ndërkohë bëmë kontrollim të të gjitha forshpaneve programore dhe reklamuese që të mos ndodhë gabimi i njëjtë – thotë Ratajkoski.

Organi ad-hoc për ndjekjen e medieve në periudhën parazgjedhore, të premten (9 shtator 2016) e solli vendimin e tij të parë, gjegjësisht dorëzoi propozim për shqiptimin e dënimit kundërvajtës për Shërbimin e parë programor të Radiotelevizionit të Maqedonisë (RTM) 1), për shkak të emetimit të reklamave qeveritare.

“Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale, pas propozimit të parashtruar nga Komisioni i ërkohshëm për ndjekjen e prezantimit mediatik, bëri kërkesë për ngritje të procedurës kundërvajtëse në të cilën gjykata do të shqiptojë sanksion kundërvajtës – vërejtje kundër Shërbimit të parë programor të Radiotelevizionit të Maqedonisë. Shkelja qëndron në atë se programi i RTM 1, në periudhën prej 2 deri më 5 shtator 2016, në kundërshtim me nenin 75-d, paragrafi 4 i Kodit zgjedhor, ka emetuar reklama të financuara nga buxheti i Republikës së Maqedonisë”, thuhet në komunikatën e Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale.

Sipas marrëveshjes politike të katër partive të datës 2 shtator të vitit 2016, deri në përfundimin e procesit zgjedhor redaktor përgjegjës i edicionit informativ të TVM-së është Santa Argirova. Kompetenca e saj qëndron në raportimin e drejtë dhe etik në emisionet informative (ТВ-ditaret dhe lajmet). Ndërsa, Dime Ratajkoski është kryeredaktor i Shërbimit të parë programor të Televizionit të Maqedonisë, që do të thotë se është kompetent edhe për përmbajtjet e tjera, qo do të thotë edhe për reklamat.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në të ashtuquajturën “bombë” numër 24 publikoi bisedime të përgjuara ndërmjet ish-ministreshës për punë të brendshme, Gordana Jankullovska, dhe ish-kryeministrit Nikkola Gruevski dhe shefit të atëhershëm të kabinetit, Martin Protogjer.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu