Rezervat e naftës, Qeveria nuk brengoset për mungesat

Qeveria e di se mungojnë 35% e rezervave të detyrueshme të naftës dhe derivateve të naftës dhe kërkon zgjidhje për problemin, pohon zëdhënësi qeveritar Mile Boshnjakovski. Ndonëse tri kompanitë e naftës OKTA, Lukoil dhe Makpetrol në dy vitet e fundit refuzojnë t’i ruajnë rezervat shtetërore të naftës për shkak se shteti nuk u paguan kompensim dhe prandaj janë zvogëluar rezervat shtetërore, nga Qeveria pohojnë se situata nuk është alarmante. Janë duke punuar në ndryshimet e Ligjit për derivate të detyrueshme të naftës, meqë me Ligjin e ri të energjetikës që është miratuar para pesë muajve, janë anuluar licencat ekzistuese për ruajtjen e naftës dhe derivateve të naftës. Tani, në përputhje me ndryshimet ligjore ky problem i pranishëm me dekada duhet të zgjidhet me një rregullore që do ta miratojë Qeveria.

Kjo rregullore, ky harmonizim pritet të miratohet në disa muajt e ardhshëm me çka do të tejkalohet situata që e përmendët. Por, sërish do të theksoj se Qeveria e Maqedonisë nuk do të lejojë që situata të bëhet alarmante”- u shpreh Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë.

Kompanitë e naftës që i ruajnë rezervat shtetërore të naftës dhe derivateve të naftës me dekada të tëra nuk kanë marrë asnjë denarë nga shteti. Shprehen se në kontratat që i kanë me Drejtorinë për derivate të detyrueshme të naftës nuk ka afat deri kur janë të obliguara t’i ruajnë ato. Në përputhje me zgjidhjen ekzistuese ligjore tani munden vetëm gjatë vitit, më së voni deri më 31 dhjetor të përdorin vetëm 30% të naftës shtetërore që e ruajnë. Por, shprehen se mënyra e këtillë e kompensimit për ta nuk ka vlerë, veçanërisht në kushte kur çmimet e derivateve janë duke shënuar rritje. Prandaj në dy vitet e fundit refuzojnë të marrin pjesë në thirrjet publike të Drejtorisë për ruajtjen e rezervave shtetërore. Ndryshe, në buxhet brenda vitit grumbullohen rreth 8 milionë euro nga kompensimi që qytetarët dhe kompanitë e paguajnë për rezervat shtetërore me çdo litër të blerë të karburantit. Sipas përllogaritjeve të kompanive të naftës, shpenzimi për ruajtjen e rezervave shtetërore do të ishte rreth 3 deri 4 milionë euro në vit. Nga Ministria e Financave tashmë dy ditë me radhë nuk kanë qëndrim për këtë problem. Nuk ka përgjigje në pyetjen se për çfarë përdoren paratë që grumbullohen nga qytetarët dhe ndërmarrjet që i paguajnë për rezervat e detyrueshme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu