Gjurmët e luftimeve të ashpra të 9 dhe 10 majit të vitit 2015 ende janë prezente në Lagjen e Trimave në Kumanovë, shkruan gazeta Lajm. Shenjat e plumbave i gjen sapo të futesh në lagje. Në shtëpinë e Liman Luftiut akoma mund shihet tmerri i ngjarjeve të përgjakshme. Kjo shtëpi në fillim të lagjes është ndër të rrallat që nuk u rindërtua.
Shteti nuk ia kompenzoi dëmin Limanit, pasi djali i tij Irfan Lutfiu, u dënua me 14 vite burg, i akuzuar për terrorizëm, shkruan gazeta Lajm.
Limani jeton i vetëm në këtë shtëpi, e cila u shkatërrua në masë të madhe nga luftimet e katër viteve më parë. Brenda saj mungon gjithçka. Dyert dhe xhamat janë të thyera, ndërsa mungon edhe energjia elektrike. Nuk ka as ujë për pije. Nuk ka kushte elementare për jetë, shkruan gazeta Lajm.
Teksa flet para kamerës së gazetës Lajm, Limani thotë se shteti ka bërë padrejtësi të madhe ndaj familjes së tij. Ai shprehet se djali i tij, Irfani u dënua pa asnjë faj për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015. Megjithatë, ai nuk ka shpresë se do të ketë drejtësi për djalin e tij.
Limani thotë se kurrë në jetë nuk do ta harrojë atë cfarë ndodhi katër vite më parë, kur banorët e lagjes u zgjuan nën breshërinë e plumbave.
Ndonëse i pa shpresë, Limani akoma apelon që të rishqyrtohet rasti i djalit të tij. Ai kërkon që të del në shesh drejtësia ndërsa i bën thirrje autoriteteve kompetente që të tregojnë kujdes edhe ndaj familjes së tij dhe t’ia kompenzojnë dëmin e shkaktuar më 9 dhe 10 maj. /Gazeta Lajm
Video:










