Sa i kushtuan Kosovës zgjedhjet e 7 qershorit

Qeveria në detyrë kishte ndarë mbi 10.8 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën të dielën, duke e çuar në më shumë se 18 milionë euro koston e dy proceseve të jashtëzakonshme zgjedhore të zhvilluara brenda më pak se gjashtë muajsh.

Vendimi për ndarjen e 10 milionë e 887 mijë e 186 eurove për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është miratuar në një mbledhje elektronike të Qeverisë më 11 maj.

Sipas të dhënave zyrtare, për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit të vitit të kaluar ishte planifikuar një buxhet prej 11.5 milionë eurosh, ndërsa shpenzimet reale, sipas raporteve paraprake të KQZ-së, kanë arritur në rreth 7.4 milionë euro.

Ndërkohë, zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të vitit të kaluar i kishin kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 7.1 milionë euro.

Lista preliminare e votuesve për zgjedhjet e 7 qershorit përfshiu 2 milionë e 92 mijë e 202 qytetarë me të drejtë vote, ose 15 mijë e 912 më shumë krahasuar me zgjedhjet e mbajtura në fund të vitit të kaluar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu