“Serbia duhet të mbajë përgjegjësi”, liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni përkujtojnë masakrën e Reçakut

Liderët e partive politike në Maqedoninë e Veriut sot kanë përkujtuar masakrën e Reçakut, në 24-vjetorin e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, ku më 15 janar të vitit 1999 në fshatin Reçak, rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se krimi i tmerrshëm i shtetit serb trokiti në ndërgjegjen e botës për gjendjen e atëhershme në Kosovë.

“Qëndresa heroike e mbarë popullit për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë nga tokat e tyre do të zgjojë reagimin e duhur të SHBA-ve dhe Europës për të dënuar dhe ndalur përgjithmonë agresionin dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Lavdi e përjetshme martirëve të Reçakut dhe të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar Ahmeti.

I pari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari tha se masakra e Reçakut ishte pikë kthese në qasjen ndërkombëtare ndaj Kosovës, ndërsa kërkoi që Serbia të merr përgjegjësi për krimet e kryera.

“Serbia, sot e kësaj dite, asnjëherë nuk i ka pranuar gjenocidet e kryera në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe nuk është distancuar nga politikat millosheviçiane. Përkundrazi, atje gjenocidarët dhe kriminelet e luftës, të atëhershëm dhe të sotëm, vazhdojnë të glorifikohen, ndërsa shteti serb sponsorizon veprime destabilizuese dhe luftënxitëse në rajon. Arbën Xhaferi thoshte se “faktori ndërkombëtar me vonesë do ta kuptojë gabimin, kur lejoi që luftërat në hapësirat jugosllave të përfundojnë pa emërimin e fajtorit”. Andaj faktori politik shqiptar duhet të jetë i bashkuar dhe unik për të përballur çdo ditë Serbinë me të kaluarën e saj gjenocidale”, shkroi mes tjerash Taravari.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha krimet si masakra e Reçakut duhet dënuar me ashpërsinë më të madhe.

“Krimet e bëra në atë kohë duhet dënuar me ashpërsinë më të madhe, si një nga ngjarjet më tronditëse të 30 viteve të fundit. Në atë kohë, Ambasadori Wallker e quajti “krim kundër njerëzimit”. Andaj, ne sot kujtojmë të rënët dhe familjarët, sakrifica e tyre për Kosovën do të shkruhet me gërma të arta në historinë tonë të lavdishme!”, shkroi Kasami.

Ndërsa kreu i Alternativës,Afrim Gashi me bashkëpartiakët realizuan vizitë në varrezat e martirëve në Reçak nga ku dënuan krimet serbe.

“Sot në Reçak kujtuam me dhimbje këtë ditë dhe u lutëm për shpirtin e 45 bashkëkombasve, martirë për liri. Krimet serbe në Kosovë nuk do të harrohen dhe për to duhet të ketë përgjegjësi e drejtësi! Lavdi të rënëve!”, shkruan Gashi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu