Shenjë e keqe për Maqedoninë, bora “bllokon” takimin e negociatorëve me Nimic për emrin

Darka e parashikuar e përbashkët e negociatorit Metju Nimic me delegacionet nga Maqedonia dhe Greqia, e cila  është dashur të mbahet sonte në Bruksel, është anuluar për shkak se as negociatorët Adamantios Vasilakis dhe Vasko Naumovski e as ndërmjetësuesi Nimic nuk kanë mundur të arrijnë në kohë në Bruksel.

Për shkak të borës në Belgjikë, qindra fluturime në aeroportin e Brukselit janë anuluar, duke përfshirë këtu edhe aeroplanët ku ndodheshin negociatorët.

Sipas informatave jozyrtare, të dy negociatorët dhe Nimic po përpiqen të arrijnë Brukselin me tren ose me mjete të tjera të transportit. Bisedimet e përbashkëta të Nimicit me negociatorët do të mbahen nesër.

Nimic nesër në Bruksel do të mbajë një konferencë për shtyp pas takimit me përfaqësuesit e dy vendeve. Takimi, siç u njoftua më parë nga zyra e Nimicit, është pjesë e përpjekjeve të OKB-së për të ndihmuar të dy palët të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.

Tani për tani nuk ka asnjë shenjë zyrtare nëse Nimic do të dalë me ide të reja, sugjerime apo propozime, edhe pse mediat greke nuk e përjashtojnë këtë mundësi.

Raundi i fundit formal i bisedimeve ndërmjet ndërmjetësit të OKB dhe përfaqësuesve të të dy vendeve u mbajt në Nju Jork në nëntor 2014./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu