Shilegov: “Komitët”, të nxitur nga VMRO-DPMNE

Procedura e ndjekjes së tifo-grupit “Komitët” të cilët përdorën gjuhë të urrejtjes mbetet në labirintet institucionale. Ndërmjet policisë dhe prokurorisë sillet dosja e 16 pjesëtarëve të tifo-grupit, të cilët u ndaluan pas thirrjeve anti-shqiptare të dielën e shkuar në sheshin e Shkupit dhe të shtunën në lagjen Gjorçe Petrov.

Nga MPB thonë se ende nuk kanë përmbyllur procesin e dokumentimit të fakteve të marra nga bisedat informative me të dyshuarit. Thonë se pasi të kompletohet dosja do të ngriten kallëzimet penale përkatëse. Nga Prokuroria Publike thonë se presin policinë që të procedojnë rastin. Deri atëherë organi akuzës pret duarkryq.

“Aktin e fyerjeve raciste, përveç opinionit publik e dënuan edhe partitë. Nga LSDM thanë se çdo herë kur në opozitë është VMRO DPMNE ka provokime të tilla nacionaliste. Kreu i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov, tha se nxitja e urrejtjes ndërmjet bashkësive etnike ushqehet nga “Pallati i bardhë” për të fituar pikë politike.

Ju më mirë e dini kush komandon me tifo grupet. I lus VMRO DPMNE-në të heq dorë nga praktika që të luaj me emocionet e njerëzve, sidomos ato nacionale. Unë vlerësoj se aty ka ende persona përgjegjës që i ushqejnë në mënyrë direkte apo indirekte skenarë të tillë”-th Petre Shilegov, Kryetar i Qytetit të Shkupit

E heshtur nuk mbeti as VMRO DPMNE, duke dënuar gjuhën e urrejtjes fajin e hedhin tek institucionet përkatëse që sipas tyre e mbajnë vulën “Një shoqëri për të gjithë”.

“Ky nuk është incident që është vërejtur vetëm së fundmi. Institucionet e kanë patjetër të parandalojnë dhe intervenojnë edhe rastet në stadiumet në Çair dhe Tetovë ku njëjtë ka kërcënime serioze për gjuhë të urrejtjes. Edhe një herë VMRO DPMNE e dënon gjuhën e urrejtjes dhe nuk e përkrahë atë, por për këtë problem të zgjeruar shoqëror duhet patjetër të punohet në parandalim”-pohoi Naum Stoilkovski, Zëdhënës i VMRO DPMNE-së.

Hiç më larg se brenda një jave grupi tifozëve “Komitët” me brohoritje raciste “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” provokuan dy herë, ku të shtunën për pak sa nuk erdhi në përleshje fizike mes tyre dhe një kolone dasmorësh shqiptarë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu