Shkolla e mjerimit në Çerkez, BDI prap gënjeu, prindërit bojkot dhe protesta (VIDEO)

Shkolla fillore “Jeronim de Rada” me mbi 500 nxënës për shkak të kushteve katastrofale vitin e ri shkollor pritet ta nis me protestë dhe grevë, për shkak të mosplotësimit të kushteve. Prindërit të kësaj shkolle kanë theksuar për INA, se nuk do të çojnë fëmijët e tyre në shkollë, për shkak të gjendjes së mjerueshme dhe rrezikut që i kanoset nxënësve, në mungesë të kushteve elementare, por edhe çatisë së vjetërsuar kancerogjene. Komuna e Kumanovës edhe pas shumë premtimeve, deri tani asgjë nuk ka ndërmarrë për sanimin e gjendjes në këtë shkollë.

Prindër të kësaj shkolle thonë se këshilltarët komunal nga BDI kanë premtuar vazhdimisht duke gënjyer dhe duke kërkuar vota, por më në fund pas misionit të tyre të mashtrimit, shkolla vazhdon në këtë gjendje.

Kryetari i këshillit të prindërve, Hulusi Jashari theksoi për TV21 se si prind, ndjen keqardhje që fëmijët e tij po detyrohen të mësojnë në kushtet e njëjta që ka mësuar ai para 30 vjete, ndërsa nuk përjashton mundësinë e bojkotimit të plotë të mësimit.

“Me fillimin e të reshurave të vjeshtës , të cilat priten si në çdo stinë tjetër, dhe me ftohjen e motit dhe nevojën që të sigurohet ngrohje aty nuk ekzistojnë kushte minimale për zhvillimin e procesit arsimor. …Do të mblidhemi javën tjetër si këshill i prindërve do ta analizojmë situatën dhe do të marrim vendimin e duhur dhe nuk përjashtojmë as bojkotin e procesit edukativo-arsimor”, tha Jashari .

Drejtori i kësaj shkolle edhe pse kishte paralajmëruar për Tv21 se gjatë pushimit veror do të realizohet renovimi i shumë pritur, kjo nuk ka ndodhur. Ai tani thotë se kjo do të ndodhë në vjeshtë, kur veç më fillon viti i ri shkollor. Prindërit kërkojnë që të bojkotohet mësimi dhe të kërkohet ndërhyrje urgjente në rregullimin e kushteve në këtë shkollë.

“Mos të bëjnë politikë me fëmijët tanë dhe mos tua rrezikojmë jetën. Të bojkotohet mësimi, ndërsa drejtoria dhe këshilli i prindërve mos të bien pre e manipulimeve dhe shantazheve të politikanëve gjegjësisht interesave të këshilltarëve të BDI, por të shohin fatin e fëmijëve”, thonë prindër të revoltuar nga kjo lagje, e cila është një nga më të mëdhatë në komunën e Kumanovës, dhe që ka numër më të madh të nxënësve, por me shkollë në kushte të mjerueshme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu