Shkolla në Straçincë rrezikon të shembet (VIDEO)

Vërshimet në Shkup rrezikojnë të lënë edhe pa shkollë fëmijët e fshatit Straçincë, raporton SHENJA.

Ankesat e vazhdueshme për disa vite të banorëve për objektin e dëmtuar të shkollës së fshatit dhe nevojës për rinovime kanë hasur në vesh të shurdhër tek autoritetet komunale. Por, pas vërshimeve të fundit, tani objekti i shkollës është tërësisht i dëmtuar dhe i rrezikuar.

Sipas banorëve, tani fshati është pa shkollë dhe nuk kanë shpresë se deri në shtator autoritetet do të marrin masa. Ata potencojnë se përveç objektit të rrezikshëm, nxënësve në shkollë u kanosen edhe epidemitë.

“Tridhjetë ekipe vijnë dhe e masin, asgjë nuk ka prej kësaj. Ja siç e shihni edhe vet, nuk kemi ndihmë prej askujt. Nuk mundem të mësojnë aty por prej zorit do I dërgojmë, ku ti dërgojmë. Kjo është zor”, tha njëri nga qytetarët e Straçincës.

“Mundët të ketë sëmundje. Të gjithë po mbajnë fjalime se do të bëhet do të rregullohet diçka, asgjë nuk rregullohet. Unë fëmijën tim nuk mund ta lëshoj njëherë. Kështu nuk e lëshoj. Do e dërgoj ndokund ku duhet, këtu nuk e lëshoj nuk ka ku të mëson këtu, katastrof është. Shikoni çatinë si e ka, rrjedh dhe uji hyn brenda”, deklaroi një qytetar tjetër.

“Shkolla pik së pari nuk ka themel. Në klasë nuk rrihet, edhe gomarët po t’i lidhësh nuk rrijnë edhe qentë po t’I lidhësh nuk rrijnë e lëre mo fëmijët tanë. Kulmi rrjedh. Prej në kohën e Titos që është ndërtuar më askush nuk ka vendosur asnjë tjegull”, tha një qytetar.

Siç thonë banorët, edhe pse Straçinca është përfshirë rëndë nga vërshimet ata deri më sot, nuk i ka vizituar askush nga funksionarët shqiptarë, por vetëm kreu i VMRO-DPMNE-së.

“Fjalë bëhen shumë, do të bëhet ajo, do të bëhet kjo po asgjë, pikërisht për fshatin tonë nuk bëhet asgjë. Votat i marrin dhe më nuk i shohim. Kur të vijnë pas 4 viteve”, u shpreh njëri nga qytetarët.

“20 vite Ali Ahmetit ia japim votën dhe nuk ka ardhuar asnjëherë të na shoh. Kur të vijë koha e zgjedhjeve ato janë këtu çdo ditë dhe sapo t’i marrin votat nuk i shohim më. Kush e di se çfarë të bëhet ata nuk vijnë. Jemi vërshuar nga uji dhe ata nuk kanë ardhur të na shohin. Përveç Gruevskit që ka ardhur dhe na ka premtuar, sa do t’i realizoj ato nuk e di. Vetëm kjo bluzë na mbetë prej atij. Se ata nuk kan më, ndërsa këtë do e vesh deri sa të prishet. Nuk mund më asnjëherë të merr prej shqiptarëve, dikush që nuk e njeh ndoshta”, tha më tej një qytetar i Straçincës.

Shkolla e fshatit Straçincë është në kuadër të shkollës “Kirilli dhe Metodij” dhe autoritetet e Komunës së Gazibabës dhe Ministrisë së Arsimit, deri më tani asnjëherë nuk i kanë pranuar projektet e banorëve për rinovimin e saj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu