Këtë të mërkurë, Fatjon Bici nuk do të ulet në bankën e tij si çdo mëngjes, krah shokut të klasës. Shkollën “Asllan Shahini” të Gramshit mëngjesin e sotëm e ka pllakosur heshtja e dhimbja, për humbjen e një jete kaq të re, në mënyrë kaq tragjike.
Në vendin ku Fatjoni, vetëm 16-vjeç, do të ulej, sot qëndrojnë një tufë me lule, ndërsa shokët e shoqet e tij të klasës nuk i mbajnë dot lotët.
Pamjet që sjell gazetari Fatos Salliu janë vërtetë prekëse. E gjithë klasa e të riut është në lot…
Jashtë, në rrugën pranë shkollës, aty ku Fatjoni u godit për vdekje, bashkëmoshatarët kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj.
Kujtojmë se 16-vjeçari humbi tragjikisht jetën një ditë më parë pas një sherri me disa adoleshentë të tjerë. Ai u godit me thikë dhe humbi jetën në spital, ndërsa i plagosur mbeti edhe një 15-vjeçar. Policia arrestoi 4 adoleshentë të moshës 14 deri në 16 vjeç, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin i morën jetën të riut (Lexo më shumë).
Ndërkohë, drejtoresha e shkollës, Ardiana Hasa, u shpreh e tronditur për ngjarjen. Për gazetarin Fatos Salliu, ajo tregoi se Fatjoni ishte larguar pasi kishte mbaruar orën e gjashtë të mësimit.
“Ka dalë nga shkolla i qetë, shumë i qetë”, shprehet ajo, ndërsa tregon se përpara se të largohej, 16-vjeçari kishte pyetur nëse motra e vogël ishte larguar për në shtëpi. Të dy mësonin në të njëjtën shkollë 9-vjeçare.
Drejtoresha thotë se e vetmja gjë që adoleshenti bëri dje ndryshe ishte se doli nga porta e madhe e shkollës, jo ajo që i binte më shkurt për të shkuar për në shtëpi. E pyetur nëse fëmijët kontrollohen për armë të ftohta, Hasa tha se nuk kjo nuk ka qenë e nevojshme, pasi deri ditën e djeshme në këtë shkollë nuk ka pasur kurrë raste të sherreve të tilla.
Ardiana Hasa: Është dhimbje që unë nuk e përshkruaj dot me fjalë, por në pyetjet që ju bëtë dhe thatë ngjarja që ka ndodhur në shkollën tuaj. Vetëm ndryshimi i një fjale na bën të ndihemi edhe më keq. Ngjarja ka ndodhur në mes të ditës, në mes të lagjes. Ju e patë, kur u futët në oborrin e shkollës, që nxënësit e asaj klase, sapo u kthyen nga vendi i ngjarjes, në të cilën vendosën lule, ndezën qirinj dhe të gjithë ishin shumë të trishtuar. Ngjarja ka ndodhur dje pas mësimit. Fatjoni ka mbaruar orën e gjashtë, që kishte Edukim Fizik. Ka kontaktuar me rojen e shkollës të cilin e ka pyetur nëse kishte mbaruar mësimin motra e tij më e vogël ose jo, dhe pasi ka marrë përgjigje nga roja, që motra e tij ishte larguar, pasi këtë gjë ne na jep të qenit në qyet të vogël, të gjithë ne i njohim nxënësit e shkollës, që janë motra e vëllezër, prandaj dhe ai iu drejtua rojes dhe Fatjoni ka dalë nga shkolla i qetë, shumë i qetë. Ka dalë nga shkolla, domethënë ajo që ka ndryshuar tek Fatjoni janë 2 portat e shkollës. Domethënë Fatjoni nuk ka ikur nga porta që i bie më shkurt për në shtëpinë e tij, por ka dalë nga porta e madhe, gjë që askujt nuk i bëri përshtypje.
-A ka ndodhur raste të tjera të zënkave?
Ardiana Hasa: Asnjëherë.
-Sa i përket kontrollit, a kontrollohen nxënësit problematikë, ose edhe nxënësit e tjerë për armë të ftohta?
Ardiana Hasa: Rasti i djeshëm ishte që ato armët e ftohta, nuk ishin të nxënësve tanë që morën pjesë në atë lloj sherri që përfundoi në tragjedi. Të them që i kontrollojmë nxënësit përditë, jo nuk i kontrollojmë përditë, sepse nuk ka qenë nevoja, nuk ka patur kurrë probleme të tilla, madje mund të them me bindje nuk ka patur në ambientet e shkollës, asnjëherë, këtë e them me bindje, zënie me grushta. Qejfmbetje midis fëmijëve ka gjithmonë dhe ne përpiqemi me psikologun me mësuesit t’i sheshojmë, por raste të tilla jo, asnjëherë, asnjëherë.