Shpenzimet vjetore globale për trajtimin e kancerit 113 miliardë dollarë

Shpenzimet vjetore globale për trajtimin e kancerit kanë kaluar në mbi 110 miliardë dollarë, bëhet e ditur në një raport të publikuar nga Instituti QuintilesIMS, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportit të Institutit QuitilesIMS, i cili analizon politikat globale të sigurimit shëndetësor, shifra e shpenzimeve në nivel global për terapitë dhe barnat e kancerit ka shkuar në 113 miliardë dollarë, teksa shifra e njëjtë në vitin 2012 ka qenë 91 miliardë dollarë.

Sipas raportit, vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë bërë 46 përqind e shpenzimeve totale.

Siç theksohet në raport, rritja e shpenzimeve për medikamentet e kancerit në pesë vitet e fundit ka fituar intensitet krahasuar me pesë vitet paraprake. Në periudhën 2006-2011, shpenzimet për barna janë rritur për 4,9 përqind, kurse në periudhën 2011-2016 për 8,7 përqind.

Analistët janë të mendimit se faktor që ka ndikuar në këtë rritje ka qenë përhapja e trajtimeve të personalizuara dhe shkurtimi i afatit për miratimin e barnave të reja.

Agjencia Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në vitin 2012 kishte vendosur të përvetësojnë një procedurë të përshpejtuar të zhvillimit dhe shqyrtimit të disa barnave të kancerit.

Thuhet se në vitin 2015 afërsisht 70 përqind e barnave të miratuara nga FDA janë nxjerrë në treg përmes këtyre procedurave të përshpejtuara.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu