Ramush Haradinaj hap një debat të madh politik: Hashim Thaçi duhet të rikthehet në postin e presidentit të Kosovës, madje edhe vetëm për një ditë.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përsëritur kërkesën që Hashim Thaçi të rikthehet në pozitën e presidentit, duke thënë se një veprim i tillë do të ishte në nder të Kosovës.
Haradinaj ka deklaruar se beson fuqishëm se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do të shpallen të pafajshëm dhe do të lirohen nga akuzat në Hagë.
“Me Thaçin i kam pas dallimet e mia, por është në nderin e Kosovës me u rikthy në postin e presidentit. Ai u mor nga posti i presidentit dhe do të ishte në nderin tonë me e kthy të paktën për një ditë. Kosova e ka borxh me i thanë: prej këtu ke shku, këtu kthehu”, ka deklaruar Haradinaj në Klan Kosova.
Ai ka thënë se rikthimi i Thaçit në Presidencë do të ishte një mesazh i fuqishëm nga institucionet dhe shoqëria kosovare dhe një dëshmi se Kosova di të veprojë në përputhje me interesin kombëtar.
Haradinaj madje ka shprehur bindjen se shumë deputetë do ta votonin Thaçin për president.
“Thaçi është marrë nga institucioni i Presidencës së vendit. Kthimi i tij në këtë post do të ishte një dëshmi se ne dimë t’i bëjmë disa veprime në përputhje me interesin kombëtar”, ka thënë Haradinaj.










