Shtatë hapat e Maqedonisë deri në anëtarësimin në NATO

Formalisht shtatë hapa, prej të cilëve dy thelbësore, e ndajnë Maqedoninë nga anëtarësimi i plotë i Maqedonisë në NATO. Procesi, sipas paralajmërimeve, do të duhet që të mbarojë deri në fund të vitit, njofton “Meta“, transmeton Portalb.mk.

Hapi i parë është miratimi i ndryshimeve kushtetuese, gjegjësisht zbatimi formal i Marrëveshjes së Prespës. Zbatimi i plotë i marrëveshjes “mes Athinës dhe Shkupit” është edhe kusht formal në ftesën që NATO ia ka dërguar Maqedonisë në qershor të vitit të kaluar në Samitin në Bruksel. Kushti është i bazuar në nenin 10 të Marrëveshjes së Uashingtonit, me të cilin është themeluar NATO, sipas të cilit anëtaret e reja pranohen vetëm me vendim njëzëri të të gjithë anëtareve. Në rastin e Maqedonisë, Marrëveshja e Prespës është kusht që Greqia ta pranojë anëtarësimin.

Hapi i dytë është Greqia ta ratifikojë Marrëveshjen e Prespës, që plotësisht të plotësohet kushti i Samitit të Brukselit të NATO-s. Pas kësaj, procedura transferohet në Aleancën Veriatlantike.

Hapi i tretë është NATO e përgatit Protokollin e Marrëveshjes së Uashingtonit për hyrje të anëtares së re. Ai në fakt është amendament i marrëveshjes origjinale për Aleancën Veriatlantike, të nënshkruar në vitin 1949.

Hapi i katërt është procesi i ratifikimit të protokollit, në të cilin të gjitha 29 shtetet anëtare të NATO-s duhet ta ratifikojnë sipas procedurave nacionale. Procesi zgjat ndryshe në çdo vend. Për shembull në SHBA u duhet shumicë prej dy të tretave në Senat që ta ratifikojnë protokollin. Në Britani, nuk është e nevojshme që të ketë votim formal në Kuvend. Pritet që procesi të mbarojë deri në fund të vitit, ndërkaq Greqia ka deklaruar se e para do ta ratifikojë protokollin.

Derisa zgjat procesi i verifikimit, Maqedonia deri në një nivel të caktuar merr pjesë në proceset e Aleancës. Për shembull, mund të marrë pjesë në të gjitha forumet dhe takimet, por pa të drejtë vote. Ose, ashtu siç paralajmërojnë funksionarët e Maqedonisë “do të fitojë karrige në NATO”.

Hapi i pestë është ftesa për hyrje, të cilën në Maqedoni do ta dërgojë sekretari gjeneral i NATO-s, pasi që të gjitha anëtaret ta njoftojnë SHBA-në: depozituesi i marrëveshjes, se e kanë ratifikuar protokollin hyrës.

Hapi i gjashtë është kur Maqedonia do të duhet që edhe vetë formalisht ta pranojë hyrjen në NATO – me referendum ose votim në Kuvend. Pastaj vendimin për hyrje ia dërgon Stejt Departamentit të SHBA-së, “rojtarit” të Marrëveshjes së Uashingtonit.

Hapi i shtatë – formalisht Maqedonia bëhet anëtare e NATO-s.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu