“Shtetet perëndimore heshtin për situatën në Halep”

Ish-ministri i Bujqësisë së qeverisë së Bashar al Asadit, Esead Mustafa, theksoi se ndihen të shqetësuar nga shndërrimi i Halepit në varrezë masive, duke shtuar se “Nuk mund t’i lëmë të vdesin nën rrënoja fëmijët, gratë dhe të moshuarit. Kërkojmë nga miqtë tanë, vëllezërit tanë, posaçërisht nga ata që kanë njerëzi, të marrin masa për ta shpëtuar Halepin. Për këto masa sot dhe nesër është dita e fundit”, raporton Anadolu Agency (AA).

Mustafa, po ashtu ish-ministër i mbrojtjes në qeverinë kalimtare të Sirisë, në deklaratën për gazetarin e AA-së tha se bota nuk duhet t’i mbyllë sytë para ngjarjeve që po ndodhin në Halep.

Duke theksuar se është e rëndësishme që të ndërmerren masa nga faktori ndërkombëtar për Sirinë pa humbur kohë, Mustafa tha: “Ne përpiqeshim të bënim gjithçka që mundeshim për ta ndihmuar Halepin, por tani as kjo nuk është e mundur. Halepi është nën bllokadë dhe i rrethuar. Aktualisht, mbi 20 organizata raciste, përfshirë Rusinë, Iranin, regjimin dhe Hizbullahun, e kanë rrethuar Halepin. Ndërkaq, SHBA-të dhe shtetet perëndimore vazhdojnë të heshtin përballë kësaj. Nuk është hedhur asnjë hap për ta shpëtuar Halepin”.

Mustafa u shpreh se në Halep janë rrethuar civilët dhe bijtë e vërtetë të qytetit, njësitet e Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS), ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre janë vrarë. Pjesa e ngelur, siç tha Mustafa, thuajse janë duke e pritur vdekjen.

“Frikohemi që Halepi do të shndërrohet në varrezë masive”, tha Mustafa, duke vazhduar:

“SHBA-të, Evropa dhe OKB nuk po bëjnë asgjë, përfshirë këtu edhe shtetet arabe. Nuk është marrë asnjë vendim i fortë. Nuk mundën të japin madje asnjë përgjigje sado të vogël për problemet e Halepit. Nuk po bëhet asgjë për t’i penguar këto ngjarje. Nuk është në rregull heshtja ndaj ngjarjeve në Halep. Nuk mund t’i lëmë të vdesin nën rrënoja fëmijët, gratë dhe të moshuarit. Kërkojmë nga miqtë tanë, vëllezërit tanë, posaçërisht nga ata që kanë njerëzi, të marrin masa për ta shpëtuar Halepin. Për këto masa sot dhe nesër është dita e fundit. A nuk u themelua OKB për t’i ndalë luftrat dhe për t’i mbrojtur të drejtat e të shtypurve? Duke qenë kështu, pse nuk po bëhet asgjë për Halepin? Tanimë nga Evropa nuk presim mesazhe dënimi, por hapa konkretë. Duam që ata të hedhin hapa kundër masakrave të Rusisë, regjimit dhe Iranit”.

“Populli i Halepit kurrë më nuk do të heshtë pas një milion dëshmorëve”

Sipas tij, njerëzit në Halep nuk do të heqin dorë asnjëherë nga rezistenca si do që të jetë. “Njerëzit dhe rezistuesit e Halepit nuk do ta braktisin Halepin. Sepse ai është vendi dhe shtëpia e tyre. Ata vetëm po e presin mbështetjen e nevojshme legale nga vëllezërit dhe miqtë e tyre. Nëse mendojnë se do ta zhdukin rezistencën duke e shkatërruar Halepin, atëherë ata janë të verbër. Historia tregon se asnjë rezistencë në botë nuk ka përfunduar kështu. Halepi është rezistenca më e madhe në histori. Çdo njeri me ndërgjegje duhet t’ia parashtrojë vetes disa pyetje. Kështu mund të ndryshojnë disa gjëra”, u shpreh Mustafa.

Duke treguar se Halepi është njëri nga qytetet më të vjetra në botë, Mustafa theksoi:

“Në dashtë Zoti, ky koalicion racist nuk do ta mposhtë Halepin dhe nuk do ta ndryshojë strukturën demografike të rajonit. Në emër të popullit të Halepit, kërkoj llogarinë e Halepit nga bota. Kërkoj nga komunitetet botërore llogaritë për fëmijët, pleqtë dhe gratë në Halep. U bëj thirrje shteteve perëndimore: ndaleni më këtë gjakderdhje. Edhe ju jeni fajtor për vazhdimin e këtyre ngjarjeve. Historia nuk do t’jua falë. Keqardhja që do ta ndieni në të ardhmen nuk do t’ju sjellë asnjë dobi. Ta shpëtosh Halepin do të thotë ta shpëtosh rajonin. Plagosja e thellë e Halepit do të ndikojë në tërë rajonin. Populli i Halepit kurrë më nuk do të heshtë pas një milion dëshmorëve. Asgjë më nuk mund ta ndalë këtë rezistencë pas 1,5 milion invalidëve dhe gjithë migrantëve. Askush nuk do të mund të na ndalë”.

Operacioni “Mburoja e Eufratit”

Mustafa rrëfeu se Operacioni “Mburoja e Eufratit” është pritur me kënaqësi nga të gjithë civilët, duke shtuar se operacioni në fjalë është hapi i parë që refugjatët të jetojnë me stabilitet dhe që të krijohet zona e sigurisë.

Mustafa tha se luten që ULS, që mbështetet nga Turqia, të ketë sukses. Ai shprehu urimin që sirianët e detyruar të migrojnë sërish të jetojnë së bashku pa dallim racor, gjuhësor apo fetar.

Sipas tij, DEASH është organizatë terroristë që persekuton njerëzit, ndërsa PYD është në pozitën e aleatit të saj. Siç tha ai, DEASH, PYD dhe regjimi luftojnë për një qëllim të përbashkët.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu