Si të përgatitemi dhe si ta presim Muajin e Mëshirës Ramazanin

Shumë muslimanë dëshirojnë të përgatiten për Ramazanin, por nuk dinë nga t’ia fillojnë. Më poshtë janë disa udhëzime të shkurtra që me shpresën e Allahut do të na ndihmojnë të përgatisim mendjet dhe zemrat tona për Muajin e Mëshirës.

 Bëni Nijetin

I thjeshtë, por me ndikim shumë të madh. Ndoshta dëshironi të përgatiteni për Ramazan, por mes shkollës, punës, familjes dhe aktiviteteve të tjera ditore, nuk ia keni idenë si të përgatiteni në kohë për Ramazanin. Në vend që të shkëpusni “përgatitjet për Ramazanin” nga aktivitetet tuaja ditore, shndërrojini këto të fundit në mjete të përgatitjes për Ramazan.

Përgatitja për Ramazan nuk ka pse të jetë diçka e jashtëzakonshme, gjigante dhe e veçantë që duhet bërë në një kohë të caktuar të ditës. Shumë nga veprimet tona të përditshme mund të kthehen në përgatitje për Ramazanin falë nijetit të sinqertë.

Ndërmerrni këta hapa të thjeshtë dhe me shpërblim të madh

  1. Lutjuni Allahut xh.sh të falë vëllezërit dhe motrat tuaja. “Kushdo që kërkon falje për besimtaret dhe besimtarët, Allahu do t’i shkruajë një vepër të mirë për çdo besimtar dhe besimtare.” (At-tabarani)
  2. Transmetohet se Ebu Hurejra r.a ka thënë “I dërguari i Allahut ka thënë: ‘Kushdo që thotë subhanAllah ue bi hamdihi (madhështia dhe lavdia i takon Allahut) 100 herë, në mëngjes dhe mbrëmje, mëkatet e tij do të fshihen edhe nëse janë si shkuma e detit.” (Buhariu)
  3. Kujtoni Allahun kur të shkoni në Pazar. “Kushdo që futet në treg dhe thotë: ‘Askush nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, i vetëm dhe i pashoq, Atij i takon sundimi dhe lavdia. Ai krijon jetën dhe shkakton vdekjen. Ai nuk vdes kurrë! Në duart e tij është e gjithë mirësia dhe Ai është i dijshëm për gjithçka”, Allahu do t’i shënojë një milion vepra të mira, do t’i fshijë një milion vepra të këqija dhe do ta lartësojë një milion gradë.” (Tirmidhiu)

Shtoni Adhurimet

Për të përgatitur zemrën për këtë muaj të bekuar, shtoni adhurimet përpara se Ramazani të fillojë. Mjafton t’i shtoni pak, por në mënyrë konstante. Profeti a.s ka thënë: “Veprat më të mira tek Allahu janë ato të vazhdueshmet, edhe pse të vogla.” (Buhariu)

Bëni një Listë Lutjesh

Ky është muaji ku mund të luteni për gjithçka, në lidhje me këtë botë dhe tjetrën. Të mos presim 10 netët e fundit për të bërë dua të veçanta, dhe pasi Bajrami të ketë kaluar të kujtohemi që kemi harruar të lutemi për shumë gjëra të tjera të rëndësishme. Filloni ta shkruani listën që tani dhe shtojini pika të tjera gjatë muajit. InshaAllah kjo do të na ndihmojë të lutemi vazhdimisht në muajin ku duaja pranohet më shumë se në çdo kohë tjetër, dhe t’ia dorëzojmë zemrat Atij që mund t’i bëjë realitet lutjet tona.

 Shkruani Objektivat Tuaja për Ramazanin

Të kryeni të gjithë namazet farz? Të falni të gjithë sunetet? Të lexoni të gjithë Kur’anin? Të jepni 100 lek për bamirësi çdo ditë? Të bëni itikaf në xhami? T’i largoheni një mëkati të cilit jeni përpjekur t’i shmangeni prej disa kohësh? Të pendoheni me sinqeritet tek Allahu xh.sh? Shkruani një listë, vareni në vend të dukshëm dhe bëni dua për përmbushjen e këtyre objektivave.

Shumë muslimanë kanë ndërruar jetë gjatë muajit të kaluar. Shumë njerëz nuk e kanë arritur Ramazanin këtë vit. Vitin e shkuar ishte Ramazani i tyre i fundit. A do ta arrini ju këtë Ramazan? A do të jetë ky Ramazani juaj i fundit?

Përpiquni të përfitoni sa më shumë nga ky Ramazan. Me shumë pak përpjekje dhe disa adhurime shtesë, t’i lutemi Allahut të na zbusë zemrat, të na nderojë dhe të na e lehtësojë rrugën drejt tij.

Dashtë Allahu që ky të jetë një Ramazan i suksesshëm, i lehtë dhe i pranuar. Amin!

Burimi: islamicity.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu