Sindroma e plagjiatit nxin imazhin e arsimit të lartë në Kosovë

Raportimet për plagjiaturë në të gjitha nivelet e arsimit të lartë, veçanërisht në temat e doktoraturës sugjerojnë se është lehtë ta zbulosh këtë “murtajë” të mashtrimit. Por një hulumtim i BIRN zbulon se për 25 raportimet për plagjiaturë deri më tash UP nuk ka ndërrmarrë asnjë masë për revokimin e titujve akademikë.

Shumë pikëpyetje ishin ngritur nga një komision profesional i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) të cilët kishin trajtuar një këkresë të profesorit universitar Zeqir Veselaj për nostrifikimin e diplomës së tij të doktorraturës.

Veselaj kishte dokotoruar në Universitetin e Tiranës në vitin 2006 ndërsa sot punon në Fakultetin e Edukimit ku ligjëron para studentëve duke pasur në dosjen e tij një raport profesional i cili konteston punimet të cilat i dhanë gradën shkencore.

Para se Veselaj të punësohej, një komision i MAShT i krijuar nga profesorë të Departamentit të Biologjisë të Fakultetit të Shkencave Matematiko – Natyrore (FShMN) gjetën se doktorata e tij përmban pjesë që nuk janë krejt rezultat i punës së tij.

Të dhënat e raportit të këtij Komisioni gjetën se tema e tij e titulluar “Mycoflora në disa masive pyjore të Kosovës” ka pak rezultate të paraqitura, por edhe mjaft mangësi që “nuk mund të tolerohen për arritjen e gradës shkencore”.

Gjithashtu Komsioni kishte konstatuar se punimi i Veselajt përmban gjëra që nuk janë rezultat i punës së kandidatit. “Ka shumë përshkrime dhe kopjime të panevojshme që kandidati ka marrë pjesë nga autorët si dr. Ferat Rexhepi”.

Veselaj thotë se ky raport ka qenë “hakmarrje për qëllime të ulta të anëtarëve të komisionit, e posaçërisht e Ferat Rexhepit”.

Me gjithë akuzat për hakmarrje të dhënat e komisionit deri më sot nuk janë hedhur poshtë nga ndonjë komision tjetër profesional.

Ferat Rexhepi, profesor tash në pension i Departamentit të Biologjisë të FShMN-së thotë se rasti i Veselit ka qenë plagjiat klasik.

“Ka pasur plagjiat, ka qenë e qartë. Të gjitha të dhënat dhe faktet janë të regjistruara, të dukshme”, thotë Rexhepi për BIRN.

Megjithatë profesori Zeqir Veselaj thotë se është i pari që ka hulumtuar këtë lëmi.

“Nëse mykoflorën e Kosovës jam i pari dhe i vetmi deri tani që e kam hulumtuar, nga ta bëja plagjiat diçka që nuk e ka hulumtuar askush në Kosovë”, thotë Veselaj.

Ndonëse Zeqir Veselaj nuk kishte kaluar në filtrin e Komisionit verifikues, BIRN zbulon se MAShT e nostrifikoi diplomën e tij dhe kjo nuk ndaloi avancimin e tij.

“Aq vlerë ka pasur ky “raport” sa as vet MAShT nuk e ka përfillur”, thotë Veselaj.

Në Ministrinë e Arsimit nuk kanë ofruar shpejgime se si janë shqyrtuar të dhënat e raportit të komisionit të ngritur nga vetë MAShT. BIRN ka kërkuar nga Ministria sqarime rreth raportit të Komsionit për rastin Veselaj por edhe vendimin e nostrifikimit, por MASHT nuk ka ofruar qasje në dokumentacion.

Përgjigje për mundësinë e plagjiatit BIRN ka kërkuar edhe nga Universiteti i Tiranës përkatësisht tek anëtarët e komisionit dhe mentori që ka mbikyrur temën e doktoratës së Veselajt, por nuk ka marrë përgjigjie.

Në vitin 2011, Zeqir Veselaj ishte avancuar në profesor i asocuar në Fakultetin e Edukimit.

Industria e mashtrimeve

Pavarësisht raportimeve për shumë raste të plagjiaturave në tema të niveleve të ndryshme sidomos doktoraturave dhe punimeve shkencore, bazuar në të dhënat e Rektoratit të UP-së nuk ka pasur asnjë rast të vetëm të revokimit të titujve ose masave të tjera.

Shkelzen Gashi nga organizata ADMOVERE që së fundi ka nxjerrë një raport që identifikon disa raste të palgjiatit në temat e doktoratës dhe tekstet universitare, thotë se plagjiatura është tejet e përhapur.

“Jam shumë i bindur që po të hetohen doktoratat e pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së, të paktën ¾ e tyre dalin ose plagjiaturë ose pa kurrfarë vlere shkencore”, thotë Gashi për BRIN.

Ai tregon se hulmumtimet e raportit kanë nxjerrë se profesorë të caktuar te të cilët është gjetur se kanë bërë plagjiat kanë mbajtur ose mbajnë pozita të larta brenda UP-së, e madje edhe në politikë.

“Është një gjendje alarmante sepse ka abuzime të tmerrshme sa i takon marrjes së titujve, ashtu edhe sa i përket avancimeve. Për fat të keq, nuk ka asnjë lëvizje të Rektoratit për të penguar ose për të mbajtur përgjegjës mashtruesit, duke ua revokuar titujt apo duke i ndjekur penalisht”, thotë Gashi.

Megjithë raportet dhe denoncimet për plagjiaturë hulumtimi i BIRN zbardh se UP nuk është marrë seriozisht me trajtimin e raportimeve.

Prorektori për Mësim në Universitetin Prishtinës “Hasan Prishtina”, Faton Morina, thotë se universiteti po zhvillon gjithnjë e më tepër mekanizmat për denoncimin e plagjiaturës.

“Mekanizimi ynë kryesor që heton plagjiaturën është Këshilli i Etikës përmes të cilit shqyrtohet çdo rast i dyshuar për plagjiat”, thotë Morina për BIRN.

Megjithatë, Morina nuk është përgjigjur për rastet e plagjiaturave të raporteve hulumtuese për të paktën 10 profesorë universitarë.

Morina thotë se për të forcuar kontrollin dhe shtuar cilësinë e punimeve, Rektorati ka ulur numrin e kandidatëve për doktoratë që mbikëqyren nga një profesor. “Kemi iniciuar gjithashtu kontrollin e publikimeve interne”, shton Morina.

Mjetet e paskrupullta për tituj

Procedurat dhe komisionet për nostrifikimin dhe barasvlerësimin e diplomave kanë bërë shpesh që anëtarët e Komsioneve të fshihen pas interpretimit të ngurtë të procedurave pa analizuar shumë punimet e kandidatëve.

Ish Rektori Ramadan Zejnullahu gjatë mandatit të tij ngriti çështjen e palgjiaturave por Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës nuk përkrahu atë në shqyrtimin e këtyre rasteve.

Sot ish rektori ka një dilemë të madhe në trajtimin e plagjiaturës në UP. Ai nuk beson se dikush që ka vet punime të dyshimta mund ta vendosë situatën nën kontroll.

“Rrallë është marrë parasysh se mentorimin e një kandidati për studime të doktoratës mund ta bëjnë vetëm ata që janë dëshmuar në punë kërkimore e shkencore”, thotë Zejnullahu për BIRN.

Tolerimi i plagjiaturës

Dyshimet për plagjiaturë në raste të caktura kanë përfundur me raporte profesionale të cilat nuk kanë konstatuar mediat dhe shoqëria civile. Profesori i Fakultetit Ekonomik, Muhamet Aliu, gjithashtu u përball me raportet për plagjiat në temën e tij të doktoratës. Dyshimet plagjiaturë në rastin e tij ndërlidhjeshin me punimin e kolegut të tij, Skënder Ahmetit.

Ish rektori Ramadan Zejnullahu kishte kërkuar që rasti të shqyrtohej.

“Komisioni i ngritur për këtë çështje gjeti që akzuat ndaj meje janë të pabaza dhe për inate personale”, thotë Aliu për BIRN.

Raporti i Komisionit në rastin e tij kishte konkulduar se “sasia e moscitimit është tejet e vogël sa nuk mund të konsiderohet plagjiat”.

Profesori Skënder Ahmeti mendon që megjithatë në temën e tij nuk ka pasur lëshime. “Unë nuk do të doja të flas. Gjithkush mund t’i bëjë krahasimet në të dyja materialet”, ka thënë Ahmeti për BIRN.

Ekspertët sugjerojnë se industria e plagjiaturës më tepër rritet për shkak të mungesës së njohurive dhe praktikave të dobëta të mbikëqyrjes nga komisionet përkatëse. Kjo është një lloj ankthi i përgatitjes së dobët të kandidatëve.

Gustavio Fischman, professor në Arizona State University dhe Mary Lou Fulton Teachers College, thotë se një trend unifikues në shumicën e rasteve të plagjiaturës është ekzistenca e procesit të vlerësimit të cilat njëkohësisht janë shumë të kërkuar në standardin e tyre dhe që perceptohen si të padrejta.

“Në sistemet e vlerësimit bazuar në modelet “nivelit të lartë”, shpesh duke imponuar kushtëzime të ashpra për ata që nuk përmbushin qëllimet sasiore të paracaktuara, tendenca për të mashtruar rritet”, thotë Fischman për BIRN.

Ai thotë se për betejen ndaj këtij problemi nuk ekziston një rregullim afatshkurtër. “Kjo kërkon përpjekje të qëndrueshme në të gjitha nivelet e shoqërisë, jo vetëm në universitete për të zhvilluar sisteme arsimore të bazuara në standardet etike”, thotë Fischman.

Po ashtu për mungesë të stafit të kualifikuar në disa fakultete aktualisht të drejtën e të qenit mentor e kanë edhe ata që kanë thirrjet akademike Profesor i Rregullt dhe Profesor i Asocuar si dhe ata që nuk kanë pasur punime me recension ndërkombëtar gjë që parashihet me rregulloren e studimeve të doktoratës.

Në raportimet për plagjiat në të shumtën e rasteve nuk janë ndjekur hapa të tjerë bazuar në rregulloret e UP-së, Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Kodin Penal, që nënkupton revokimin e titullit dhe ndjekje penale.

Të akuzohesh për plagjiaturë në secilin vend është një vepër penale. Por në gjykatat e Kosovës nuk ka pasur raste të tilla ku personat kanë përfunduar me revokim të titujve të teksteve apo ndjekje penale.

Bazuar në rregulloret në fuqi, UP kërkon që një vit pas mbrojtjes, të gjitha punimet e doktoratës të publikohen në ueb-faqe, por deri më tani jo të gjitha janë publikuar duke mos mundësuar që ato t’i nënshtrohen shqyrtimit publik.

“Ato duhet të sfidohen edhe nga publiku”, thotë Shkelzen Gashi.

Shpresat te një softuer anti-plagjiat

Ministri i Arsimit Shyqyri Bytyqi ka thënë se do të përpiqet të sigurojë mbështetje institucionale për të gjitha iniciativat për hetim të abuzimeve. “Mbështes çdo shyqrtim të secilit rast me qëllim mbrojtjen e integritetit akademik nga ana e universiteteve publike, pa paragjykuar rezultatet e hetimeve”, ka thënë Bytyqi në një konferencë për media.

Në Kosovë nuk ka një softuer anti-plagjiaturë si një mjet kundër mashtrimit në nivelin universitar. Zyrtarët përgjegjës të arsimit të lartë shpresojnë se ky do të jetë një mekanizëm me të cilin do të mund ta frenojnë industrinë e abuzimeve.

Prorektori Morina thotë se UP ka nisur procesin e sigurimit të një softueri që zbulon plagjiaturën në tezën e doktoraturave apo punimeve tjera.

“Vendosja e një souftueri që do t’i detektojë burimet e mundshme të plagjiaturave në gjuhën shqipe do të jetë hapi i ardhshëm karshi plagjiaturës”, thotë Morina.

Profesorët e raportuar për punime të kontestuara të doktoratës apo punimeve shkencore nuk kanë qenë asnjeherë pjesë e kontrollit të Këshillit të Lartë të Cilësisë gjatë procesit të shqyrtimit të kritereve që duhet t’i plotësojë personeli akademik si një nga shtyllat bazike për akreditimin e programeve të fakulteteve.

Kreu i Këshillit të Lartë të Cilësisë, Gazmend Luboteni, thotë se Agjencia e Kosovës për Akreditimin nuk ka mekanizma që luftojnë këtë problem. “Për këtë çështje universitetet kanë Kodin e Etikës dhe Komitetet e veçanta për luftimin e plagjiarizmit dhe mashtrimeve”, ka thënë Luboteni për BIRN.

Ai thotë se universitetet duhet ta bëjnë të qartë se çdo shkelje do të sanksionohet ashpër. “Shumë universitete sot përdorin softuere për luftimin e kësaj dukurie edhe pse as softueri më i përsosur në disa raste nuk mund ta zbulojë plagjiaturën”, shton Luboteni.

Rregulloret e Universitetit kryesor Publik përcaktojnë që të gjithë pjesëtarët e bashkësisë universitare të sillen në mënyrë etike duke vlerësuar hulumtimet e mira dhe duke i mësuar studentët për etikën në hulumtim.

Gustoavo Fischman gjithashtu thotë se në rastet e gjuhëve që kanë përdorim më të vogël në botë, softuerët nuk mund të ndihmojnë. “Strategjia më e dobishme është të krijosh një mjedis ku respektohen standardet etike. IT nuk ndihmon për të mësuar rreth modeleve të kërkimit etik nëse studentët shohin se universiteti nuk po zbaton këto standarde”, thotë Fischman.

Por në mbi 25 raste të plagjiateve që janë regjistruar nga raoporte dhe media, këto rregullore nuk kanë qenë efektive. Bazuar në të dhënat e Rektoratit, asnjëra nga ato nuk ka pasur ndonjë shqyrtim që ka rezultuar me veprime konkrete karshi autorëve.

“Në këtë kohë, mundësitë e filtrimit të plagjiatit janë shtuar por edhe janë rritur pafund mundësitë për abuzim”, thotë Ferat Rexhepi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu