Situata në Gaza, Hondurasi tërheq ambasadorin në Izrael

Ministria e Jashtme e Hondurasit deklaroi se ambasadori i vendit nga Amerika Latine po tërhiqej për shkak të asaj që e përshkroi si shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar nga Izraeli në Gaza.

Kolumbia dhe Kili gjithashtu kanë tërhequr ambasadorët e tyre në Izrael, ndërsa Bolivia ndërpreu marrëdhëniet plotësisht, në përgjigje të veprimeve të Izraelit në enklavën e rrethuar, shkruan Al Jazeera.

Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë njoftoi sot se 100 qytetarë amerikanë dhe familjarët e tyre u larguan nga Gaza të enjten, duke shtuar se një grup tjetër i madh amerikanësh pritet të largohet.

Duke folur me gazetarët ndërsa Joe Biden ishte në aeroplanin presidencial që shkonte për në Maine, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karin Jean-Pierre tha se negociatat intensive janë duke u zhvilluar për të larguar shtetasit e huaj nga Gaza.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme franceze njoftoi se 34 shtetas francezë të shoqëruar nga familjarët e tyre u larguan sot nga Rripi i Gazës, përmes pikës së kalimit Rafah.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu