Standardi “më i lartë” i jetesës në ish-Jugosllavi: mit apo realitet

Për jetën dhe standardin e jetesës në kohën e Jugosllavisë, ata që kanë jetuar në atë periudhë shpesh flasin me nostalgji. Lista e arsyeve të Jugonostalgjisë është e gjatë, por para së gjithash dallohen uniteti dhe solidariteti mes njerëzve, paqja, barazia klasore dhe përgjithësisht standardi i jetesës me të cilin ishin të kënaqur shumica e qytetarëve.

Klasa e mesme dominuese

Në sistemin e mëparshëm të qeverisjes, dominonte shtresa e mesme punëtore, kështu që dallimet sociale dhe ekonomike midis qytetarëve nuk ishin të dukshme, gjë që mundësonte paqen sociale dhe harmoninë shoqërore.

Nga një distancë kohore prej të paktën 30 vjetësh, kur ndërkohë kanë ndryshuar shumë rrethana sociale, politike, ekonomike, kulturore dhe teknologjike, është mosmirënjohëse të bëhen krahasime klasike të standardeve të jetesës. Megjithatë, ia vlen të bëjmë një retrospektivë të jetesës së atëhershme dhe tani.

Ata që kanë jetuar dhe vepruar në ish-Jugosllavi, vërejnë se në fillim të viteve 1980, një litër qumësht mund të blihej për 9,9 dinarë, një litër vaj për gatim për 28,6 dinarë, një kilogram patate për 9,31 denarë, litër benzinë për 18,5 denarë… Përkthyer në rrethanat e sotme, kostoja bazë e jetesës ishte e ulët.

Pagë nën mesataren për 80 për qind të punonjësve

Sipas të dhënave në dispozicion, paga mesatare në Jugosllavi ishte 6.109 dinarë ose rreth 400 marka gjermane në atë kohë, ndërsa shpenzimi mesatar, gjegjësisht shporta e konsumit të një familjeje prej katër anëtarësh ishte rreth 8.300 dinarë, ose rreth 550 marka.

Megjithatë, vlen të theksohet se 80 për qind e qytetarëve të punësuar atëherë merrnin paga nën mesataren dhe më pak të paguar ishin punëtorët e tekstilit. Në këtë aspekt, gjendja nuk është më e mirë edhe sot, nëse merren parasysh statistikat sipas të cilave mbi 65 për qind e të punësuarve në Maqedoninë e Veriut (dhe situata nuk është dukshëm më e mirë në vendet fqinje), punojnë me pagë mujore më të ulët se mesatarja.

A ishte e lartë shkalla e punësisë në Jugosllavi?

Më shumë se gjysmë milioni njerëz emigruan në vendet perëndimore, kryesisht në Gjermani, në pesë vitet e para pasi presidenti jugosllav Josip Broz Tito hapi kufijtë midis viteve 1968 dhe 1973. Më vonë, ky numër u rrit me një milion të tjerë.

Rënia e papunësisë në ato vite përkoi me numrin e personave që emigruan. Të dhënat zyrtare për papunësinë në RSFJ tregojnë se në vitet tetëdhjetë ajo ishte përgjithësisht rreth 15-16 për qind. Problemi lindi kur papunësia ndër vite u rrit në mënyrë eksponenciale nga viti në vit.

Lirë, por jo disponueshëm

Në vitet 1980, kriza u shkaktua nga inflacioni dhe mungesa e disa mallrave në treg. Kjo zgjidhej me kredi të favorshme, kufizim të konsumit ose me lëshimin e bonove për mallra të caktuara.

Për shembull, çmimi i mishit të viçit ishte fillimisht i lartë, 138 dinarë për kilogram, ose rreth 9 marka. Popullata reagoi ndaj çmimit të lartë të mishit, për ç’arsye qeveria e atëhershme federale e Jugosllavisë vendosi të ulë çmimin e mishit të viçit në 120 dinarë për kilogram, dhe të pulës në 56 dinarë.

Por pas vetëm disa ditësh, në mishtore nuk kishte mish dhe kjo ishte një dukuri e rrallë, sepse thertoret nuk donin të dorëzonin mish me çmime të reduktuara. Prandaj, autoritetet e atëhershme morën një vendim me të cilin përcaktuan kompensim për normalizimin e kushteve të tregut.

Çmimi aktual i mishit të viçit në markete dhe mishtore ka arritur rreth 600 denarë për kilogram. Në përkthim, nëse para tridhjetë vjetësh mund të blinit 50 kilogramë mish për një pagë mesatare, sot me pagën mesatare aktuale të Maqedonisë së Veriut mund të blini rreth 40 kilogramë.

Konsum më i ulët i shërbimeve të tjera

Në atë kohë, konsumi i shërbimeve të tjera ishte shumë më i ulët se sot, sepse nuk kishte celularë, konsumi i karburantit ishte më i ulët për frymë sepse kishte pakrahasueshëm më pak makina. Banesat siguroheshin në atë mënyrë që të mos kishte kredi hipotekare apo shlyerje, shërbimet komunale ishin më shumë të kategorisë sociale sesa sot dhe shpenzimet ishin pakrahasueshëm më të ulëta.

Me rritje artificiale deri në krizën më të madhe

Njerëzit kujtojnë vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar kur standardi u rrit falë huamarrjes dhe orientimit të fondeve për shpenzimet publike. Prandaj, jugonostalgjikët kujtojnë “të shtatëdhjetat e arta”.

Megjithatë, nëse hyjmë në një analizë më të thellë, mund të konkludojmë se kjo rritje artificiale çoi në krizën më të madhe në historinë e Jugosllavisë, e cila kontribuoi ndjeshëm në shpërbërjen e saj.

Industria në të cilën u investua, nuk solli përfitimin e pritur dhe doli të ishte një gur në qafë. Në vitin 1983, Jugosllavia zyrtarisht falimentoi, por këtë kurrë nuk ua njoftoi qytetarëve të saj dhe pushoi së paguari të gjitha detyrimet e saj jashtë vendit, duke rezultuar në një mungesë të madhe të produkteve të shumta nga industria ushqimore.

Borxhe të tepërta

Jugosllavia hyri në vitin 1991 me borxh prej rreth 20 miliardë dollarësh. Borxhi i saj u konsiderua i papagueshëm. Më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kishte ulur borxhin me 1,8 miliardë dollarë, sepse vendi thjesht nuk kishte mjetet për të shlyer interesin, e aq më pak principalin.

Në përpjekje për të shpëtuar ekonominë jugosllave, Shtetet e Bashkuara dhanë rreth 3,5 miliardë dollarë për të stabilizuar dinarin, por në gjashtë muaj këto fonde rezultuan të pamjaftueshme. Kushteve të tilla u paraprinë disa dekada të ndërtimit të një ekonomie, struktura e së cilës ishte e tillë që mbijetesa e saj varej pikërisht nga rritja e vazhdueshme e borxhit të jashtëm.

Ndryshe nga mitet e njohura sot, ekonomia e Jugosllavisë nuk bazohej në fitimet e industrisë – në fakt, ajo nuk ekzistonte. Përkundrazi, e gjithë industria e Jugosllavisë funksiononte me humbje, ekskluzivisht përmes huamarrjes, remitancave nga punëtorët e huaj dhe turizmit.

Megjithatë, barazia, solidariteti dhe besimi në vlera mbeten të vlefshme për kujtimet nostalgjike të një kohe krejt tjetër. Por mbeten të hapura edhe pyetjet nëse mund të kishte pasur një menaxhim ndryshe në shtetin e dikurshëm të përbashkët dhe nëse po, a do të thoshte kjo një pozitë më e mirë ekonomike e rajonit në të cilin jetojmë tani.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu